Gjashtë vepra nga pesë vende në jubileun e “Ditëve të Letërsisë Suedeze dhe Botërore”

Sot, në orën 11:00, në Sallën e Komunës së Çairit, do të mbahet manifestimi qendror i edicionit të dhjetë jubilar të “Ditëve të Letërsisë Suedeze”, që këtë vit zgjerohet nën emërtimin “Ditët e Letërsisë Suedeze dhe Botërore”, shkruan Portalb.mk.

Shtëpia Botuese “Shkupi” do të promovojë gjashtë vepra të përkthyera në gjuhën shqipe, nga Suedia, Bullgaria, Turqia, Kuvajti dhe Kolumbia.

Të pranishme do të jenë autoret dhe artistet suedeze Grażyna Canevall dhe Ingela Karlsson, të cilat do të prezantojnë veprën “Kantarei”. Ato do të interpretojnë vargje nga krijimtaria e tyre, si dhe fragmente nga poema “Bagëti e bujqësi” e Naim Frashërit. Për librin do të flasë shkrimtari Rizah Sheqiri, ndërsa pesë veprat e tjera për fëmijë do t’i prezantojë shkrimtarja Mejreme Kajolli Tusha.

“Vëllai dhe unë”, i autores turke Bushra Çakmak, sjell një rrëfim të ngrohtë për marrëdhënien mes motrës dhe vëllait. Nga hapat dhe fjalët e para, deri te lojërat e aventurat e imagjinuara, libri përcjell rëndësinë e kujdesit, bashkëpunimit dhe dashurisë familjare.

Një temë tjetër të përditshmërisë trajton autorja turke Xhansu Erkan në librin “Dita kur u zhdukën kafshët”. Banorët e një qyteti janë aq të përqendruar te telefonat, sa fillimisht nuk e vërejnë mungesën e kafshëve. Përmes humorit dhe fantazisë, vepra fton lexuesit të reflektojnë për kohën para ekraneve dhe vëmendjen ndaj natyrës e jetës përreth.

“Pa kapelë”, i autores kuvajtiane Lateefah Boti, rrëfen historinë e një vajze që jeton në një qytet ku të gjithë mbajnë kapela. Kureshtja e shtyn të shohë përtej kapelës së saj dhe të zbulojë një botë plot ngjyra, tinguj e bukuri. Rrëfimi përcjell mesazhe për guximin, mendimin e lirë dhe kapërcimin e paragjykimeve.

Me librin “Miushat shkojnë në operë”, autorja bullgare Marija Doneva i afron fëmijët me muzikën klasike. Përmes vargjeve me rimë dhe përgatitjeve argëtuese të miushëve për të shkuar në shfaqje, lexuesit e vegjël njihen me operën, emocionet që ajo ngjall dhe sjelljen në sallën e teatrit.

Ndërkaq, “Fluturimi i balenave gungaçe”, i autores kolumbiane Juliana Munoz Toro, me ilustrime nga Dipacho, i çon fëmijët në një udhëtim me balenat nga ujërat e ftohta të Antarktidës drejt ujërave të ngrohta të Paqësorit. Përmes ilustrimeve, hartave dhe shpjegimeve të thjeshta, libri tregon si jetojnë, ushqehen dhe shtegtojnë këto gjallesa, duke nxitur edhe kujdesin për mjedisin.

Sipas organizatorëve, zgjerimi i manifestimit synon t’ua afrojë lexuesve shqiptarë letërsinë bashkëkohore botërore dhe t’i bëjë këto vepra pjesë të bibliotekave, shkollave dhe jetës kulturore.

 

Afishja e manifestimit i “Ditëve të Letërsisë Suedeze”. Foto: Azam Dauti
Kulturë lajmeLibra