Shkruan: Dervish Alimi
Skena politike në Shqipëri dhe më gjerë është pasojë e zullumit të bërë nga klasa politike e binomit te betonuar Berisha-Rama që nga v. 2008, kur të lodhur nga lojtari i tretë Ilir Meta, u morën vesh si xhentëlmenë, që të mos lejonin hapësirë për parti të tjera, dhe karshi hallkut do të shtireshin sikur e qortojnë dhe shajnë njëri tjetrin, por në fakt të mbështjellë nga mburoja e legjimitetit te kryetarit te (o)pozitës, nuk do ta merrnin njëri-tjetrin në përgjegjësi penale dhe nuk do t’i kërkonin llogari për lekët e humbura pa gjurmë gjatë qeverisjes së tyre.
Dorën ne zemër, edhe njerëzit e thjeshtë u mësuan të duronin dhe t’i anashkalonin dështimet e përfaqësuesve të tyre me arsyetimin se të gjithë janë njësoj, duke mos dashur ta prishnin rehatinë e tyre familjare dhe e harruan se nuk ishte në rrezik vetëm fati personal dhe i familjes por edhe i gjithë shoqërisë. Pushtetarët guxuan ta bëjnë këtë pasi më parë nuk kishin hasur në shumë rezistencë dhe e mbivlerësuan veten aq shume duke e nënvlerësuar njëkohësisht pronarin e vërtetë të tokës dhe shtetit, të cilëve këta duhej vetëm t’u shërbenin dhe t’ua lehtësonin jetën e tyre të përditshme.
Megjithatë nuk janë fajtorë vetëm shefat e partive që edhe shtetin e konsideruan si pronë të tyre, por edhe ata që u shërbyen këtyre pa asnjë hezitim dhe brejtje të ndërgjegjes. Ata e kultivuan deri në përsosmëri filozofinë e ngjitjes së shkallëve të pushtetit jo falë suksesit dhe aftësisë profesionale, por falë aftësisë së servilizmit dhe klientelizmit, te tipit: “ky është çun i mire, dëgjon dhe nuk na çel telashe“.
Kjo i nxori në sipërfaqe, si andej dhe këndej kufirit, dhe i favorizoi pa kurrizorët njerëzorë të puthadorëve, sahanlëpirësve dhe hyzmeqarëve të devotshëm, të cilët për një përkëdhelje të vogël nga ‘pronari’ ishin në gjendje që pa ngurruar t’u turreshin me vrull atyre që e sulmonin dhe që atij ia prishnin hesapet dhe rehatinë.
Por si jobesimtarë që janë, padronët nga babëzia materialiste’ dhe ushqimi i familjes me fitim pa djersë, nuk e parashikuan vërtetësinë fetare se Zoti i lejon zullumqarët të zhyten thellë në humnerën e tyre dhe nuk e besuan parashikimin se do të vijë dita kur Zoti, para se t’ua merr shpirtin, ata do t’i turpërojë në këtë bote me gjithë familjen, për ta dëshmuar se ai nuk lejon që e keqja të fitojë mbi të drejtët dhe të pafajshmit.
Sa janë të këqij dhe të humbur në rrugën ë tyre e dëshmon sjellja e tyre paranoike përpara dorëzimit të pushtetit, nga frika çka do të ndodhi me ta pas humbjes së mburojës së pushtetit, kur do të del e vërteta se vetë Shefi ka qëndruar pas të gjitha vjedhjeve të faturuara nga vartësit e tij, të cilët vetëm kanë zbatuar urdhrat, veç për të qëndruar edhe një ditë më shumë në postet e tyre të pamerituara dhe të cilat në kushte normale as edhe në ëndërr nuk do ta kishin parë.
Vetëm kur zullumi u trash tej mase popullit i erdhi në majë të hundës dhe ngriti krye i mllefosur arroganca e pushtetarëve, të cilët vajtën aq larg sa i dhanë vetes të drejtë, si të pangopur dhe të pacipë që janë, t’i nxjerrin në shitje edhe tokat e shtetit për përfitime të mëtejshme politike dhe materiale.
Të gjithë këta në fund do të përfundojnë në llumin dhe gjirizin e mbetjeve të tyre që vetë i ndërtuan në këtë botë, por do të përgjigjen edhe në botën tjetër për atë që u shndërruan ne tiranë mizorë dhe ia lejuan vetes të vendosnin për jetën dhe fatin e njerëzve dhe të vendit, sikur ta kishin pasur në trashëgimi prej prindërve dhe jo si amanet dhe përgjegjësi për ta përmirësuar standardin e jetës dhe mbindërtimin kulturor dhe profesional të brezave të rinj, që nesër të jenë të përgatitur të marrin mbi supe fatin e shtetit ku jetojnë. Tani le të gjejnë vrimë ku të futen në këtë botë nëse ia dalin, se në botën tjetër nuk i ikin dot ditës së dhënies së llogarisë , ashtu si edhe secili prej nesh që ishte sadopak fajtor për heshtjen dhe indiferencën tonë të deritashme!