Në takimin e Procesit të Berlinit në Shqipëri, përfaqësues të lartë nga Ballkani shprehën angazhimin për t’iu bashkuar BE-së.
Megjithatë, BE-ja ka përcaktuar një rrugëtim me ritme të ndryshme, që përfshin hapa gradualë dhe kufizime nëse nuk zbatohen reformat.
Në këtë rrugërim të shpejtë nuk përfshihen Maqedonia e Veriut, Serbia, Kosova, dhe Bosnjë-Hercegovina. Lajme të mira vijnë për Shqipërinë, Malin e Zi, Ukrainën dhe Molldavinë.
Kështu, përfundimisht, BE-ja planifikon t’ua hapë vendeve kandidate jo vetëm tregun e përbashkët, por dhe anëtarësimin gradual.
Tregu i përbashkët fillimisht do t’u shërbente shteteve të lartëpërmendura që janë afër anëtarësimit.
Maqedonia e Veriut, dhe Serbia mbetet të bëjnë disa hapa të guximshëm për të treguar se janë me të vërtetë për BE-në.
Nga lëvizjet e fundit shihet se BE-ja është shumë afër rajonit. Janë vetë shtetet kandidate që për arsye të ndryshme nuk i kanë plotësuar kriteret duke gjetur arsyetime historike e të panevojshme. Para nisjes për në Mal të Zi, ministri i Jashtëm i Gjermanisë Johann Wadephul tha: “Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor është një provë për Evropën. Ai do të përcaktojë se çfarë ndikimi do të ketë BE-ja në dekadat e ardhshme.”
Ministri gjerman ka planifikuar të vizitojë Romën dhe Lubjanën me qëllim të shpejtimit të procesit të zgjerimit në Ballkan.
Ndërkohë është për t’u rithekësuar se nismat nuk duhet të vijnë vetëm nga njëra palë, pra vetëm nga BE-ja.
Shtetet tashmë të përcaktuara për në BE duhet në të vërtetë të vazhdojnë reformat, të bëjnë luftë më të ashpër për sundimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe natyrisht zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërshtetërore.
Në këtë drejtim, vizita e Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, në rajon u vlerësua pozitivisht në Shqipëri dhe mund të themi edhe në Kosovë, duke rikonfirmuar mbështetjen e BE-së ndaj reformave.
Një siguri që Kosova e kërkonte, ishte ajo rreth ngjarjeve të fundit që buronte nga verdikti i Hagës. Dhe presidentja e bëri tashmë të qartë qëndrimin e BE-së rreth 1999-tës dhe luftës së popullit të Kosovës.
Në Shqipëri ajo mori rikonfirmimin nga qeveria shqiptare për reformat dhe luftën kundër krimit dhe llojeve tjera të korrupsionit.
Në Maqedoni të Veriut, qeveria u mundua të vazhdojë me argumentet e përsëritura se meritojnë më shumë nga BE-ja, dhe konsideratat e Brukselit duhet të rishikohen ndaj Shkupit.
Nga vizita e fundit e Presidentes Ursula von der Leyen dhe nga takimi i nivelit të lartë në Tiranë, tashmë vërehet qartë se BE-ja ka krijuar dy kategori kandidatësh.
Të parët që do të hyjnë në union me gjasa të mëdha për të shfrytëzuar të mirat e BE-së dhe të dytët që duhet të presin më gjatë.
Gjithashtu nga takimi i fundit i Presidentes së KE-së në Shkup, mund të vlerësohet se një hap përpara është arritur nëse Shkupi zyrtarisht do të nisë bisedimet e ngecura me Sofjen. Qeveria ka njoftuar se do të dërgojë notë rreth takimit të mundshëm me palën bullgare. Deri më tani sipas Brukselit, Maqedonia e Veriut ka marrë nga Plani i Rritjes disa miliona euro. Nëse tejkalohen mosmarrëveshjet me Bullgarinë, atëherë vendi mund të hapë grupkapitujt e parë. Që nga viti 2022 nuk është bërë ndonjë përparim nga Shkupi për shkak të vetos bullgare.
Me Serbinë, BE-ja ose do të arrijë të afrohet më shumë ose do të dalë e lodhur duke derdhur shuma financiare pa gjasa që Beogradi të lëvizë nga “akti balancues”.
Sidoqoftë, pas Ukrainës dhe të gjitha shqetësimeve në BE me sulmet hibride ruse, emigracionin, raportet me ShBA-në dhe sfidat e tjera, Brukseli po bën përpjekje maksimale për të afruar Ballkanin Perëndimor.
Ndërkohë, qytetarët e shteteve ballkanike janë të lodhur dhe të frustruar nga qeveritë e tyre që hezitojnë të kryejnë reforma dhe të zgjidhin çështjet.
Nëse Maqedonia e Veriut nis diçka tani me Bullgarinë dhe del nga gjendja e bllokimit, kjo do të jetë një lajm i madh për këtë vit.
Megjithatë, mbetet për t’u parë në javët në vijim nëse qeveria e ka seriozisht çështjen e problemeve të pazgjidhura dhe integrimin.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.