Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se është arrestuar gruaja e Zekirja Shainit, i cili u plagos dje në Kumanovë. Ajo dyshohet se ka qenë e përfshirë në tentativën për vrasjen e bashkëshortit të saj. Gjatë hetimeve janë thirrur disa persona për bisedë zyrtare dhe është kryer bastisje në një shtëpi në Kumanovë. Një person tjetër që dyshohet si autor i sulmit ndodhet ende në arrati, ndërsa ndaj të dyshuarve do të ngrihen padi përkatëse pas konsultimit me prokurorinë, transmeton Portalb.mk.
“Më 07.10.2025, policët e SPB-së Kumanovë privuan nga liria A.A. (43) nga Tetova, për shkak të dyshimit të bazuar se ajo ishte e lidhur me tentativën e vrasjes së bashkëshortit të saj Z.Sh. (43) nga fshati Sllupçan, rajoni i Likovës. Gjithashtu, gjashtë persona janë thirrur në SPB Kumanovë për bisedë zyrtare në lidhje me incidentin, dhe me urdhër gjykate është kryer bastisje në shtëpinë e B.S. (50) nga Kumanova. Pas dokumentimit të plotë të rastit, kundër A.A. do të ngrihen padi përkatëse, ndërsa kundër L.F. (36) nga Gostivari, i cili dyshohet për tentativë vrasjeje dhe është ende në arrati, pas konsultimit me Prokurorinë Themelore Publike, gjithashtu do të ngritet padi penale”, thonë nga MPB.
Doktori dhe kreu i listës së këshilltarëve të BDI-së në Komunën e Likovës, Zekirja Shaini, i cili u plagos dje në një incident me armë në qendër të Kumanovës, u lirua sot nga Klinika Universitare për Kirurgji Plastike dhe Rindërtuese në Shkup për trajtim në shtëpi.
Drejtoresha e Klinikës, Jasmina Gjorgievska-Pavlovska, konfirmoi në një deklaratë për MIA-n se pacienti ndihej mirë.
“Pacienti është në gjendje të mirë të përgjithshme. Pasi u trajtuan plagët, ai u lirua për trajtim në shtëpi”, tha Gjorgievska-Pavlovska.
Për herë të parë, Shaini, sot bëri një reagim, duke thënë se u godit në pabesi nga persona të maskuar, duke kërkuar që ngjarjes të mos i jepet ngjyrime politike.
“Dje u godita në pabesi nga persona të maskuar. Dua t’ju siguroj se unë nuk kam hak ndaj askujt, e as nuk i kam prekur kujt familjen për këtë e kam dëshmitar vetëm Zotin. Jemi në periudhë fushate zgjedhore, por nuk dua që kjo ngjarje të marrë ngjyrime politike. Nuk kam armiqësi politike me askënd. Lus organet e rendit që ta zbardhin këtë rast sa më shpejt që të jetë e mundur. Aktualisht, për shkak të gjendjes sime psikofizike, nuk mund të pranoj vizita. Edhe njëherë, ju falënderoj nga zemra secilin veç e veç për kujdesin, respektin dhe përkrahjen që më keni treguar”, tha ai.
Shaini u qëllua katër herë, në gjurin e djathtë dhe në parakrahun e majtë. Ai u dërgua fillimisht në spitalin e Kumanovës, dhe më pas në klinikat e Shkupit, ku iu dha ndihma mjekësore.