Në kuadër të një aksioni artistike në hapësirën publike të Shkupit janë vendosur mbi 50 tabela të trafikut “STOP” të transformuara me mesazhin “Stop gjuhës së urrejtjes”. Aksioni synon të tërheqë vëmendjen e qytetarëve për pasojat e gjuhës së urrejtjes, e cila po merr përmasa alarmuese në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.
“Në ritmin urban të jetës së përditshme, shpesh nuk jemi të vetëdijshëm se si gjuha e urrejtjes prish hapësirën tonë të përbashkët – jo vetëm në komunikim, por edhe në jetën sociale dhe emocionale të komunitetit. Pikërisht kësaj pyetjeje i përgjigjet një ndërhyrje e re artistike në hapësirën publike, e cila, përmes formës vizuale dhe simbolike, shtron pyetjen: Sa larg lejojmë që gjuha e urrejtjes të na çojë – dhe a jemi gati t’i japim fund asaj? Këtë herë, tabela më e njohur e trafikut u përdor si bazë për veprimin shenja e komunikacionit – STOP. Shenja që bën thirrje për kujdes dhe para së cilës duhet të ndalesh. Më shumë se 50 tabela të tilla u vendosën në Shkup, të transformuara me një mesazh të ri: “Stop gjuhës së urrejtjes”. Ideja rrjedh nga simbolika e fortë vizuale e tabelës, e cila na bën të ndalemi dhe t’i kushtojmë vëmendje çdo ditë. Në të njëjtën mënyrë, ky veprim i inkurajon qytetarët të “ndalen”, të lexojnë mesazhin dhe të mendojnë për pasojat e përhapjes së urrejtjes”, thuhet në njoftim.
Gjuha e urrejtjes në Maqedoninë e Veriut po merr përmasa gjithnjë e më alarmuese. Nuk është vetëm një deklaratë verbale – krijon pengesa reale për komunikimin normal, nxit përçarje, konflikte dhe diskriminim, dhe lë plagë të thella tek individët dhe shoqëria.
“Me këtë veprim duam t’ju kujtojmë se, ashtu siç ka rregulla të qarta trafiku për të ruajtur sigurinë tonë, ne duhet të vendosim edhe rregulla të qarta shoqërore për të mbrojtur sferën publike nga urrejtja. Aksioni është pjesë e konceptit më të gjerë të aktivizmit krijues, i cili përdor artin jo vetëm si shprehje, por edhe si një mjet për ndryshime shoqërore. Në vend të thirrjeve abstrakte, ndërhyrja krijon një përvojë vizuale dhe komunikimi që transformon hapësirën e zakonshme publike në një vend konfrontimi dhe dialogu. Përmes këtij mesazhi të thjeshtë, por të fuqishëm, u bëjmë thirrje qytetarëve, institucioneve dhe komunitetit në tërësi: është koha t’i themi NDAL gjuhës së urrejtjes”, thuhet në njoftim.
Ky aksion është përgatitur nga Qendra për Arte Bashkëkohore – Shkup në kuadër të projektit Rrjeti për Diversitet 2.0 – Agjenda e re e zbatuar nga Shoqata për avancimin e praktikave gazetareske “Media Inovative – Shkup”.
Kujtojmë se Portalb.mk përmes një serie shkrimesh ka argumentuar se si mosndëshkimi i gjuhës së urrejtjes ndër vite ka rritur edhe më shumë këtë fenomen në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mosreagimi adekuat i MPB, prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes. Këtë e vërtetuan edhe eskspertët e komunikimit politik si dhe organizatat që merren me gjuhën e urrejtjes në analizën e Portalb.mk rreth temës në fjalë.