Kallëzim penal dhe masa kujdesi ndaj dhunuesit që e rrahu vajzën në Ohër, u arrestua edhe babai i saj për kërcënime

Në vend të tentativës për vrasje, siç kërkon familja e 26-vjeçares Sara Gjorgjievska, e cila u rrah, MPB-ja ngriti kallëzim penal ndaj të dyshuarit Kristijan Koraboski për “lëndim të rëndë trupor”, ndërsa ai do të mbrohet në liri, raporton Tellma. Kryeprokurori i shtetit, nuk dha përgjigje konkrete se përse janë kërkuar vetëm masa kujdesi ndaj të dyshuarit. Ai tha vetëm se po punohet intensivisht për rastin dhe se janë të vetëdijshëm se duhet të veprojnë shpejt dhe me efikasitet, transmeton Portalb.mk.

“Ju siguroj se Prokuroria Publike po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit. Pres që gjatë ditës të njoftohem nga prokurori publik kompetent, madje edhe të merret një vendim përfundimtar i prokurorisë”, tha prokurori Nenad Saveski.

Saveski shtoi se cilësimi i veprës për të cilën do të ndiqet penalisht i dyshuari do të përcaktohet pasi të mblidhen të gjitha provat gjatë hetimit. Për “lëndim të rëndë trupor”, sipas nenit 131, paragrafi 3 të Kodit Penal, parashikohet dënim me burg nga një deri në dhjetë vjet.

Nëna e viktimës, Irena Gjorgjievska, ngriti akuza të rënda në Facebook, duke pretenduar se i dyshuari është lënë në liri sepse nëna e tij është Lubinka Koraboska, ish-kryetare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, e propozuar në këtë funksion nga VMRO-DPMNE-ja. Sipas saj, babai i tij është Goce Koraboski, inspektor në Drejtorinë e të Ardhurave Publike, i cili kishte marrëdhënie të afërta me kryeministrin Mickoski.

“Djali i mamit mburrej vazhdimisht se, pavarësisht se çfarë do të ndodhte, prindërit e tij ishin mjaftueshëm të fuqishëm për të ‘rregulluar’ gjithçka. Ajo që e bën situatën edhe më të tmerrshme janë rrethanat që lidhen me veprimet e babait të tij. Në momentin kur vajza ime ishte pa ndjenja, Kristijani, duke menduar se ajo kishte vdekur, kontaktoi babanë e tij, duke kërkuar ndihmë se si ta hiqte qafe trupin e saj. Babai i tij i jepte udhëzime se si ta hiqte qafe trupin e vajzës sime”, pretendon Irena Gjorgjievska, nëna e viktimës.

VMRO-DPMNE-ja dënoi dhunën ndaj vajzës dhe u bëri thirrje institucioneve kompetente ta zbardhin plotësisht rastin, ndërsa kritikoi Prokurorinë.

“Pasi MPB-ja ka vepruar dhe e ka ndaluar të dyshuarin për dhunën, prokurori publik kompetent e ka lënë në liri me masa të lehta kujdesi dhe po bën taktizime. Kjo është sjellje skandaloze e Prokurorisë, për të cilën duhet të ketë përgjegjësi. Nëse ekzistojnë indicie se kushdo qoftë, madje edhe nga Prokuroria, po përpiqet ta mbulojë rastin ose të ndikojë në mënyrë të paligjshme mbi procedurën, duhet të nxirret menjëherë para drejtësisë”, deklaruan nga VMRO–DPMNE-ja.

Nga spitali “Shën Erazmo” në Ohër thonë se, pas ekzaminimeve diagnostikuese, te vajza janë konstatuar lëndime trupore, hematoma dhe kontuzione.

“Më 15.11.2026, rreth orës 02:00, pas një zënke që kishte nisur në shtëpinë e tij dhe kishte vazhduar në makinën e tij, i denoncuari e kishte sulmuar fizikisht në automjet të dashurën e tij 26-vjeçare nga rrethina e Ohrit. Pasi kishte ndaluar automjetin, kishte vazhduar sulmin, gjatë të cilit vajza kishte humbur ndjenjat dhe ishte rrëzuar. Më pas ajo ishte dërguar në Spitalin e Përgjithshëm në Ohër dhe më vonë në spitalin ‘Shën Erazmo’ në Ohër, ku i ishin konstatuar lëndime të rënda trupore”, njoftoi MPB-ja.

Për SDK, zëdhënësi i SPB Ohër, Stefan Dimoski ka thënë se te burri që e rrahu vajzën në Ohër është regjistruar alkool në gjak.

“Është kryer alkotestimi i autorit të mundshëm, përkatësisht i personit ndaj të cilit është ngritur kallëzimi penal. Tek ai janë konstatuar 1,29 promilë alkool në gjak, prandaj edhe mbi këtë bazë ndaj tij do të parashtrohet kallëzimi përkatës”, deklaroi Dimoski.

Në stacionin policor është mbajtur edhe babai i viktimës, pasi nëna e të dyshuarit, Lubinka Koraboska, e kishte denoncuar se përmes telefonit celular kishte kërcënuar djalin e saj dhe të gjithë familjen. Ndaj babait, i cili u ndalua pasi vajza e tij përfundoi në spital, do të parashtrohet kallëzim.

Dhuna familjareDhuna ndaj graveDhunë - Dhuna