Pjesëmarrje më e madhe e qytetarëve në marrjen e vendimeve, transparencë më e madhe në punën e institucioneve, më shumë shërbime digjitale dhe hapje më e madhe në fushat që lidhen me klimën dhe mjedisin janë ndër qëllimet kryesore të draftit të ri, të shtatë me radhë, të Planit Kombëtar të Veprimit (PKV) për Partneritetin për Qeverisje të Hapur (PQH) për periudhën 2026–2028. Dokumenti, i datës 2 tetor, është publikuar në Regjistrin e Vetëm Kombëtar Elektronik të Rregulloreve (ENER) dhe do të jetë në konsultim publik deri më 26 tetor, transmeton Portalb.mk.
Draft-plani përmban 20 zotime që duhet të zbatohen gjatë dy viteve të ardhshme dhe që burojnë nga procesi i bashkëkrijimit, në të cilin morën pjesë institucionet, organizatat e shoqërisë civile dhe komunat.
Tetë nga zotimet kanë të bëjnë me antikorrupsionin, integritetin, përgjegjësinë dhe llogaridhënien, katër me pjesëmarrjen qytetare në marrjen e vendimeve, gjashtë zotime i kushtohen qeverisjes digjitale, ndërsa pesë klimës dhe mjedisit.
Qytetarët ta dinë se si shpenzohen paratë publike
Në pjesën që lidhet me antikorrupsionin, plani i ri vazhdon qasjen e planeve të mëparshme të veprimit, përkatësisht që publiku të ketë sa më shumë informacione për mënyrën se si institucionet marrin vendime dhe si shpenzohen fondet publike. PQH tashmë ka kontribuar në krijimin e mekanizmave si Thesari i Hapur, përmes të cilit qytetarët mund të ndjekin shpenzimet buxhetore, si dhe Regjistri i Pronarëve të Vërtetë. Cikli i ri duhet të vazhdojë me mekanizma për llogaridhënie më të madhe, si dhe me lidhje më të mirë të informacioneve që tashmë publikohen nga institucionet.
Një nga katër fushat prioritare është pikërisht vendimmarrja pjesëmarrëse dhe pjesëmarrja e qytetarëve, pasi synimi është që qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile të marrin pjesë në krijimin e politikave që në fazën kur ato përgatiten, e jo vetëm pasi institucionet tashmë t’i kenë miratuar ato. Siç thuhet në dokument, kjo është veçanërisht e rëndësishme në nivel lokal. Që në thirrjen publike për përgatitjen e planit, institucionet theksuan se në proces duhet të përfaqësohen në mënyrë të përshtatshme pikëpamjet dhe nevojat e nivelit lokal, ndërsa vetë hartimi i PKV 7 u organizua pikërisht sipas parimit të bashkëkrijimit, përmes grupeve tematike të punës ku morën pjesë institucione dhe organizata të shoqërisë civile.
Gjashtë zotime për qeverisjen digjitale
Në pjesën që lidhet me qeverisjen digjitale janë renditur gjashtë zotime për të cilat duhet të punohet gjatë periudhës së paraparë. Parashikohet krijimi i një regjistri për personat me aftësi të kufizuara, më pas një regjistër kombëtar për të dhënat e hapura shëndetësore, si dhe standardizimi dhe hapja e të dhënave për mbikëqyrjen inspektuese. Përveç kësaj, risitë përfshijnë shërbime digjitale të barabarta, të qasshme dhe transparente në komuna, si dhe publikimin e një metodologjie për përcaktimin e tarifave për qasjen dhe ripërdorimin e të dhënave nga sektori publik. Parashikohet gjithashtu avancimi i sistemit digjital për raportim financiar transparent dhe mbikëqyrje publike të financimit të partive politike.
Për kujtesë, planet e mëparshme të veprimit kontribuan në zhvillimin e platformës data.gov.mk, mekanizmave digjitalë për konsultime dhe mjeteve të tjera për transparencë më të madhe. Gjatë zbatimit të deritanishëm të PQH-së, shembull i të dhënave të hapura është edhe iniciativa që synonte që 30 komuna të publikonin të paktën pesë grupe të dhënash. Ky qëllim, sipas të dhënave të prezantuara në fillim të ciklit të ri, është tejkaluar, me përfshirjen e 61 komunave dhe më shumë se 300 grupeve të të dhënave.
Kështu, plani i ri e zhvendos temën nga vetëm “publikimi i të dhënave” drejt një qasjeje më të gjerë të qeverisjes digjitale dhe përdorimit të teknologjisë për t’ua lehtësuar qytetarëve qasjen në institucione.
Më tej, pesë nga zotimet e parapara në planin e ri kanë të bëjnë me klimën dhe mjedisin. Fokusi nuk është vetëm te politikat mjedisore, por edhe te mënyra se si ato miratohen dhe sa të qasshme janë informacionet për publikun.
Çështjet që lidhen me mjedisin prekin drejtpërdrejt qytetarët, nga cilësia e ajrit dhe menaxhimi i mbeturinave, deri te projektet infrastrukturore dhe energjetike. Prandaj, një nga qëllimet e PQH-së është që informacionet dhe proceset që lidhen me këto politika të jenë më të qasshme dhe më të hapura për publikun.
Kjo është gjithashtu fushë në të cilën zbatimi i deritanishëm i zotimeve ka pasur probleme. Analizat e publikuara në shtator tregojnë se një pjesë e institucioneve që punojnë me çështjet e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike ende nuk kanë nivel të mjaftueshëm transparence në proceset e marrjes së vendimeve.
Qeveria e Hapur, Kuvendi dhe gjyqësori në një kornizë
Një nga ndryshimet më të rëndësishme sistemike në PKV7 është mënyra se si është strukturuar vetë cikli i veprimit. Maqedonia e Veriut është anëtare e PQH-së që nga viti 2011 dhe deri më tani ka zbatuar gjashtë plane kombëtare të veprimit. Me ciklin e shtatë, Qeveria, Kuvendi dhe gjyqësori lidhen në një kornizë të përbashkët kombëtare. Siç thuhet, kjo nuk nënkupton ndërhyrje në kompetencat e tyre, por një qasje të përbashkët ndaj parimeve të transparencës, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes, duke respektuar autonominë e tri pushteteve. Kjo do të nënkuptojë se hapja nuk do të shihet më vetëm si detyrim i pushtetit ekzekutiv, por në proces do të përfshihen edhe Kuvendi dhe gjyqësori, me zotimet dhe përgjegjësitë e tyre institucionale.
Pasi të përfundojë procesi i konsultimeve në fund të muajit, Ministria e Administratës Publike dhe Këshilli për PQH-në duhet t’i shqyrtojnë propozimet e dorëzuara dhe ta finalizojnë dokumentin. Finalizimi i planit të veprimit parashikohet gjatë tetorit, ndërsa miratimi i tij nga Qeveria është paraparë deri në dhjetor të këtij viti.
Teksti është përgatitur në kuadër të projektit “Së bashku për Partneritetin për Qeverisje të Hapur: Mbështetje për procesin e zbatimit dhe dizajnimin e së ardhmes”, i financuar nga Sekretariati i Partneritetit për Qeverisje të Hapur.