I dyshuari për dhunë në familje në Manastir që u arratis nga dritarja e stacionit policor sot iu dorëzua policisë

Njëzet e katër vjeçari K.U., i cili javën e kaluar u arratis përmes dritares së stacionit policor në Manastir, ndërsa policët po përpiqeshin ta privonin nga liria pas një denoncimi për dhunë në familje, sot është dorëzuar vullnetarisht në SPB Manastir. Partnerja e tij 21-vjeçare kishte denoncuar se për një periudhë të gjatë ishte përballur me dhunë fizike e psikologjike dhe kërcënime nga ai. Pas vlerësimit të Qendrës për Punë Sociale, ajo ishte vendosur në një strehimore, transmeton Portalb.mk.

Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se i dyshuari sot në orën 12:00 është dorëzuar vullnetarisht në polici, pas koordinimit paraprak të zyrtarëve policorë me avokatin e tij mbrojtës dhe Prokurorinë Themelore Publike në Manastir. Pas dorëzimit është privuar nga liria, ndërsa inspektorët e policisë kriminalistike po zhvillojnë bisedë zyrtare me të.

Ndaj K.U., më 11 nëntor ishte ngritur kallëzim penal për “rrezikim të sigurisë gjatë dhunës në familje” dhe “lëndim trupor gjatë dhunës në familje”, sipas neneve 144, paragrafi 3, dhe 130, paragrafi 2, të Kodit Penal.

Rasti ishte denoncuar më 10 nëntor, kur 21-vjeçarja nga Manastiri ishte paraqitur në SPB Manastir dhe kishte denoncuar se po atë ditë, rreth orës 17:00, ishte sulmuar fizikisht nga partneri i saj. Sipas deklaratës së saj, dhuna nuk ishte një incident i izoluar, por kishte vazhduar për një periudhë të gjatë, gjatë së cilës ajo ishte ekspozuar ndaj keqtrajtimit fizik e psikologjik dhe kërcënimeve.

I dyshuari kishte ardhur vullnetarisht në stacionin policor po atë mbrëmje, së bashku me njërin prej prindërve. Por, kur zyrtarët policorë kishin ndërmarrë veprime për ta privuar nga liria, ai ishte arratisur përmes një dritareje të hapur të dhomës ku ndodhej. Pas arratisjes, policia e kërkoi për disa ditë.

Ndërkohë, vajza ishte vendosur në një strehimore pas vlerësimit të Qendrës për Punë Sociale. Nëna e saj reagoi publikisht për rastin, duke kërkuar nga institucionet të ndërmerrnin masa dhe duke shprehur shqetësim për sigurinë e vajzës së saj gjatë kohës që i dyshuari ishte i paarritshëm për policinë. Ajo tha se familja posedon dokumentacion mjekësor për lëndimet, si dhe mesazhe kërcënuese.

Rasti ngriti edhe pikëpyetje për veprimet e institucioneve pas denoncimit dhe për rrethanat në të cilat i dyshuari arriti të arratisej nga stacioni policor. MPB-ja kishte njoftuar më herët se në SPB Manastir nuk ishte dorëzuar urdhër apo akt tjetër nga ndonjë organ kompetent për shoqërimin e tij në polici, privimin nga liria apo caktimin e paraburgimit. Ndërkaq, nga Prokuroria kishin theksuar se prisnin të njoftoheshin pas përfundimit të bisedës me të dyshuarin.

Me dorëzimin e sotëm dhe privimin nga liria, procedura për rastin vazhdon. MPB-ja njofton se po ndërmerren masa dhe aktivitete shtesë në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike në Manastir.

Dhuna familjareDhuna ndaj graveMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Policia e Maqedonisë së VeriutSPB Manastir