Sindikata e Pavarur Akademike ka reaguar në lidhje me propozim-ligjet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës rreth tre ligjeve të arsimit të lartë, shkencës dhe hulumtimit, transmeton Portalb.mk.
“Fatkeqësisht, një pjesë e rëndësishme e vërejtjeve tona u injoruan dhe projektligjet mbetën në thelb të pandryshuara. Ne besojmë se publiku duhet të informohet për vërejtjet kryesore që SPA ka në lidhje me tre ligjet, të cilat kanë potencialin të pengojnë zhvillimin e arsimit të lartë dhe shkencës në vendin tonë”, raportoi Sindikata.
Ata vlerësojnë se në tre ligjet kemi shkatërrim të autonomisë universitare, pasi planifikohet bartja e kompetencave nga trupat e pavarur te Ministria për Arsim dhe Shkencë.
“Këto zgjidhje ligjore nuk ofrojnë pavarësi të mjaftueshme në operacionet financiare dhe lënë hapësirë për presion qeveritar mbi politikat e personelit të institucioneve të arsimit të lartë”, vlerësuan nga Sindikata.
Në reagimin e tyre, Sindikata kërkoi kthimin e kompetencave të Këshillit Kombëtar, nëse nuk duan që të cenohet autonomia e menaxhimit të universitetit.
Ndryshe, Ministria e Arsimit dhe Shkencës në krye me Vesna Janevskën vazhdojnë të mos i tregojnë autorët të cilët e hartuan Propozim-ligjin për Arsimin e Lartë i cili u shoqërua me shumë kritika.
Derisa autorët mbeten sekret, propozim-ligji të hënën do të ripublikohet në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Rregulloreve (ENER) me të gjitha komentet që u pranuan gjatë debateve publike ose u dorëzuan elektronikisht dhe pas disa ditësh do të kalojë në procedurë qeveritare.
Zgjidhjet e reja ligjore për arsimin e lartë parashikojnë një mënyrë të re të financimit të institucioneve të arsimit të lartë, forcimin e kritereve për avancimin në titujt e fakultetit, riorganizimin e Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Lartë dhe ndryshime në programet e studimit.
Ky propozim-ligj është shoqëruar me vërejtje të mëdha nga akademia dhe sektori civil.
- LEXO: Universitetet shqiptare e demantuan Janevskën: Asnjë profesor i joni nuk ka marrë pjesë në hartimin e Propozim-ligjit për Arsimin e Lartë
- LEXO: Ligj publik, autorët sekret: Ministra e Arsimit vazhdon t’i fshehë emrat që e hartuan Propozim-ligjin për Arsimin e lartë
- LEXO: Vesna Janevska i ‘fsheh’ personat që e kanë shkruar propozim-ligjin për arsimin e lartë, gjyq publik për ministren në UT (Video)