Petull gjigante në qendër të Shkupit, mesazhi i ri gueril kundër korrupsionit

Pas Gostivarit dhe Strumicës, aksioni i tretë dhe i fundit guerilas nga projekti “Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut: Hallkë kyçe në ndërtimin e një shoqërie pa korrupsion” u realizua në Shkup në rrugën “Maqedonia”. Këtë herë, aktivistët ngritën një instalacion vizual në formën e një petulle gjigante, me mesazhin “Një e katërta e parave publike shpenzohet në mënyrë korruptive”, transmeton Portalb.mk.

“Çereku i humbur i petullës përfaqëson simbolikisht vrimën që korrupsioni bën në buxhetin publik çdo ditë – fonde që në vend që të shpenzohen për arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë zhduken në xhepa privatë. Përmes kësaj performance krijuese dhe vizualisht të fuqishme, publikut iu bë thirrje të mendojë për pasojat reale të korrupsionit dhe të përfshihet në kërkimin e llogaridhënies dhe transparencës nga institucionet”, thuhet në njoftim.

Aksioni u konceptua dhe u realizua në bashkëpunim me artistin Nikola Pisarev nga Qendra për Arte Bashkëkohore – Shkup, i cili me ekspertizën e tij krijuese kontribuoi në origjinalitetin dhe mesazhin e qartë vizual.

Projekti u zbatua me mbështetjen e Zivik Funding Programme të Ministrisë Federale Gjermane për Punë të Jashtme, përmes ifa – Institut für Auslandsbeziehungen, në partneritet me Analitica Think Tank, OGS – Organizatën e Grave të Strumicës dhe IGI Gostivar. Ky aksion përmbyll serinë simbolike, por të fuqishme të ndërhyrjeve publike krijuese që synonin mobilizimin e të rinjve dhe publikut në luftën kundër korrupsionit.

Ambasada e Gjermanisë në RMVKorrupsion - Ryshfet