Pikat për mbulimin e shpenzimeve dhe humbjeve të NPK “Tetova” Tetovë ishin arsyeja e përplasjeve të sotme në Këshillin Komunal të Tetovës midis këshilltarëve opozitarë nga BDI-ja dhe udhëheqësisë komunale, shkruan Portalb.mk. Këshilli Komunal miratoi vendim që të mbulojë harxhimet dhe humbjet e ndërmarrjes në vlerë prej rreth 60 milionë denarë, të cilat pritet të destinohen për pagat e punëtorëve të cilët kanë vonesa prej disa muajve.
Këshilltarët e BDI-së thanë se ky subvencionim që i bëhet NPK-së ngre dyshime për keqpërdorime, andaj edhe e lëshuan seancën duke mos e votuar të njëjtën. Ata madje theksuan se këto dyshime i bazojnë në thirrjen e seancës ditën e njëjtë kur Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë për gjuhën shqipe.
“Këtë kërkesë NPK- Tetova, Tetovë e ka bërë pa dorëzuar dokumentacion të detajuar për realizimin e shpenzimeve dhe pa asnjë plan financiar për destinimin e mjeteve. Kjo na ngre dyshime serioze për keqpërdorim të mjeteve, andaj ne si Këshilltarë të Këshillit Komunal të Komunës së Tetovës duke mos dashur të bëhemi pjesë e kësaj hajnie klasike, në mënyrë demonstrative e lëshuam seancën”, tha Liridon Disha
Nga ana tjetër, kryetari i këshillit komunal Naim Ismaili tha se NPK Tetova ka të ardhura të ulëta dhe se është e pamundur të funksionojë pa përkrahje të komunës. Lëshimin e seancës nga ana e këshilltarëve opozitarë Ismaili e konsideroi të panevojshme.
“Nuk ishte aspak hyjnore, derisa po vajtojnë se ja nuk paguhen pagat, momentin kur ne mundohemi të sjellim një vendim që tu dalim zot, ata e lëshojnë seancën duke kërkuar elaborim kot, vetëm e vetëm të demonstrojnë një pikë të ulët politike ditore”, tha Ismaili.
Ai sqaroi se subvencionimi nga ana e komunës ndaj NPK-të është është vetëm për paga dhe për shpenzime tjera operative
“Janë të parapara të mbulohen humbjet në vlerë prej 60 milionë denarëve kryekëput për pagat dhe kontributet e prapambetura. E dini se NPK Tetova ballafaqohet me probleme financiare qysh moti. Funksionimi i NPK Tetova me ndarjen e NPK Sharri dhe Saubermaherit, është e pamundur që pa subvencionim ose pa përkrahje të komunës që të funksionojë. Është e pamundur edhe nëse inkasohet komplet ajo vlera prej 105 denarëve në bazë të konsumatorëve prej 40 mijë, është e pamundur që t’i mbulojë harxhimet e 130 punëtorëve. Sot duhet të ju dalim zot, t’i subvencionojmë t’ua kompensojmë pagat që në vitin e ri të hyjnë pa obligime”, tha Ismaili.
Komuna e Tetovës edhe në të kaluarën e ka subvencionuar NPK-në me miliona denarë, ndërkaq opozita edhe atëherë e ka braktisur seancën.
Rikujtojmë se janar të vitit 2023 Këshilli Komunal mori vendimin që Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” të ndahet në dy subjekte të reja, edhe atë Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” e cila do të merret me ujësjellësin dhe Shoqëria për Prodhim dhe Shërbime Komunale “Oaeneum” e cila do merret me higjienën komunale. Arsyeja pse “Oaeneum” u bë shoqëri tregtare, siç paten sqaruar nga komuna ishte pikërisht se në procedurë të partneritetit publiko privat ligji e kërkon të jetë shoqëri tregtare jo ndërmarrje publike, ku më pas u lidh marrëveshja me kompaninë Saubermacher për menaxhimin e mbeturinave. Ndërkaq NPK-ja aktuale do vazhdojë me veprimtaritë që ngelin, konkretisht veprimtaria e tregut, gjelbërimit dhe varrezave të qytetit.