Mbrëmë në Qendrën për Kulturë në Gostivar përfundoi edicioni i 20-të me radhë i manifestimit tradicional “Flaka e Janarit 2025”, që realizohet në nderim të veprimtarisë kombëtare të tre figurave të këtij organizimi: Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka dhe Jusuf Gërvalla, por edhe të të gjithë dëshmorëve të kombit, transmeton Portalb.mk.
Arsim Disha nga stafi organizativ në profilin e tij në Facebook ka shkruar se shprehin mirënjohje për gjithë ata që kontribuuan në realizimin e këtij manifestimi.
“Me përfundimin e këtij manifestimi, dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë të thellë për çdo individ që kontribuoi me angazhim dhe pasion për të bërë të mundur këtë ngjarje madhështore. Ky manifestim ishte një moment i veçantë, që na bashkoi rreth vlerave tona kombëtare, historisë dhe traditave që na bëjnë krenarë. Të gjitha përpjekjet tuaja do të mbeten të gravuara në kujtesën kolektive, dhe “Flaka e Janarit” do të vazhdojë të ndriçojë rrugën tonë për brezat që do të vijnë”, ka shkruar Disha.