Përfundoi dita e dytë e debatit të Komisionit për Propozim-buxhetin për vitin 2025

Ka përfunduar dita e dytë e debatit në Komisionin parlamentar për financim dhe buxhet për Propozim-buxhetin për vitin 2025. Seanca për Propozim-buxhetin do të vazhdojë nesër në ora 11:00, raporton MIA. Sipas deputetëve të opozitës, me Propozim-buxhetin nuk do të ketë standard më të mirë jetësor për qytetarët dhe zhvillim ekonomik të shtetit, ndërsa për ata të pushtetit është i zhvilluar dhe do t’i përmirësojë kushtet e jetesës së qytetarëve.

Deputetja e LSDM-së, Jovanka Trençevska theksoi se Qeveria me këtë Propozim buxhetor shkurton më së shumti për kategorinë e rrezikuar sociale të qytetarëve.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski e akuzoi Trençevskën se gënjen dhe se në Propozim-buxhetin ka 10 miliardë denarë më shumë për paga. Trençevska në kundërpërgjigje ndaj Stojanovskit theksoi se nëse ajo gënjen, atëherë Qeveria gënjen me këtë buxhet që ua ka dorëzuar deputetëve.

Diskutimi i komisionit për Propozim-buxhetin zgjat 10 ditë dhe duhet të përfundojë jo më vonë se 30 nëntori, pas së cilës vazhdon në seancë plenare. Për Propozim-buxhetin për vitin 2025 janë dorëzuar gjithsej 308 amendamente, 204 prej të cilave nga LSDM-ja opozitare. Sipas ligjit, Buxheti për vitin 2025 duhet të votohet deri më 31 dhjetor.

Ndryshe, ky do të jetë buxheti i parë që do të përpilohet nga Qeveria e Hristijan Mickoskit. Buxheti i shtetit duhet të miratohet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ku qeveria e formuar nga VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM e ka shumicën e deputetëve. Ky propozim-buxhet më 29 tetor u miratua nga Qeveria.

Buxheti për vitin 2024 është miratuar më 27 dhjetor të vitit 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, buxhet me të hyra që arrijnë 310.1 miliardë denarë, apo 10 % më shumë se vitin paraprak. Qeveria e re e Mickoskit, kishte filluar propozimin për rebalancin e buxhetit 2024, ndërsa më 12 gusht rebalanci ishte votuar në Kuvend.

Buxheti 2025 RMVBuxheti komunalGordana Dimitrieska KoçoskaHristijan Mickoski HristianJovanka TrençevskaMinistria e Financave (MF)Parlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së VeriutQeveria e Maqedonisë së VeriutRebalanci i buxhetit