Përdhunim i një vajze të vogël dhe pornografi, Prokuroria në RMV kërkoi paraburgim për të dyshuarin

Prokuroria Themelore Publike kërkoi paraburgim për të dyshuarin kryesor në lidhje me përdhunimin e një vajze të vogël dhe pornografi me fëmijë, transmeton Portalb.mk.

“Duke llogaritur rrezikun e ikjes, mundësinë e ndikimit te dëshmitarët dhe veçanërisht te viktima e mitur, si dhe rrezikun e përsëritjes së krimit, prokurori publik i paraqiti një propozim gjyqtarit të procedurës paraprake për të përcaktuar një masë paraburgimi për të dyshuarin”, raportoi Prokuroria.

Ai dyshohet se prej vitit 2023 e deri më 27 prill të vitit 2026-të, ka kryer akte seksuale ndaj vajzës së lindur në vitin 2012, duke regjistruar edhe pamje pornografike. Këto pamje i ka përdorur për shantazh.

Prokuroria ka miratuar Urdhrin për të hetuar personin për përdhunim të fëmijës dhe shpërndarje të pamjeve pornografike, vepra të dënueshme në bazë të Kodit Penal.

Maqedonia e Veriut është shteti i vetëm në rajon që me qëllim parandalues u ka mundësuar qytetarëve qasje online në identitetet e personave të dënuar me vendim përfundimtar për vepra që lidhen me pedofilinë, përfshirë fotografitë e tyre, pseudonimet, adresat e vendbanimit dhe veprat për të cilat janë dënuar. Kushdo mund t’i shikojë këto të dhëna me vetëm disa klikime. Aktualisht në këtë regjistër figurojnë 338 persona.

Kujtojmë se Portalb.mk që para një viti alarmoi për bllokimin e punës së Komisionit Kuvendor për Punë Sociale, Demografi dhe Rini dhe pikërisht zvarritjeve të cilat ndikonin drejtpërdrejt në Regjistrin e Pedofilëve.

Ideja e regjistrit të pedofilëve (www.registarnapedofili.mk) është të publikohen emrat, mbiemrat, pseudonimet, fotografitë dhe adresën ku jetojnë kryerësit e veprave penale që janë dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm për vepra penale të keqpërdorimit seksual të fëmijëve. 

Qëllimi i kësaj është që qytetarët të jenë të vetëdijshëm nëse potencialisht në lagjen e tyre, shkollën ku shkojnë fëmijët e tyre, ose në familje kanë persona që mund të përbëjnë rrezik për fëmijët. 

Regjistri i pedofilëve në Maqedoninë e Veriut vazhdon të mbetet i qasshëm vetëm në gjuhën maqedonase, pa përkthim në gjuhën shqipe.

Abuzim seksual - PërdhunimEdukim seksualFëmija/ëNgacmim seksualPedofil PedofiliaTë drejtat e fëmijëve