Pas shumë bllokimeve dhe zvarritjeve, Komisioni Kuvendor për Punë sociale, Demografi dhe Rini i dha ‘aminin’ propozim-ndryshimeve ligjore, me të cilat pritet të vendoset në funksion të plotë Regjistri i Pedofilëve, transmeton Portalb.mk.
Teksti harmonizohet me ndryshimet në Kodin Penal, ndërsa pas miratimit të plotë nuk pritet të ketë pengesa për funksionimin e regjistrit.
Si rezultat i bllokimit të propozim-ndryshimeve shumë pedofilë ‘shpëtuan’ pa hyrë në regjistër.
Zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale, Gjoko Vellkov për Alsat tha se me harmonizimin e ndryshimeve në Kodin Penal, personat e mitur tani trajtohen si fëmijë.
“Regjistri që për fat të keq edhe nuk ka funksionuar, me hyrjen në fuqi të këtyre propozim ndryshime të këtij ligji do të rregullohet tërësisht”, tha Vellkov.
Që bllokimi i ligjit në Kuvend ka shpëtuar dhjetëra pedofilë e pranoi edhe deputetja e dhe anëtarja e komisionit, Imërlije Saliu.
“Përcakton qartë veprën penale ndaj fëmijëve, përcakton institucionet dhe procedurat për dorëzimin e të dhënave në regjistër. Pastaj siguron që regjistri të përmbajë të dhëna të plota dhe të përditësuara për të gjithë kryerësit e dënuar”, tha Saliu.
Kujtojmë se Portalb.mk që para një viti alarmoi për bllokimin e punës së Komisionit Kuvendor për Punë Sociale, Demografi dhe Rini dhe pikërisht zvarritjeve të cilat ndikonin drejtpërdrejt në Regjistrin e Pedofilëve.
Ideja e regjistrit të pedofilëve (www.registarnapedofili.mk) është të publikohen emrat, mbiemrat, pseudonimet, fotografitë dhe adresën ku jetojnë kryerësit e veprave penale që janë dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm për vepra penale të keqpërdorimit seksual të fëmijëve.
Qëllimi i kësaj është që qytetarët të jenë të vetëdijshëm nëse potencialisht në lagjen e tyre, shkollën ku shkojnë fëmijët e tyre, ose në familje kanë persona që mund të përbëjnë rrezik për fëmijët.
Aktualisht në këtë regjistër figurojnë 338 persona.
Regjistri i pedofilëve në Maqedoninë e Veriut vazhdon të mbetet i qasshëm vetëm në gjuhën maqedonase, pa përkthim në gjuhën shqipe.
- LEXO: Fëmijët flasin tre gjuhë, por mbrohen vetëm në një: Regjistri i pedofilëve në RMV ende pa përkthim
- LEXO: Emrat e pedofilëve mund t’i mësoni vetëm në maqedonisht, regjistri assesi të përkthehet në shqip
- LEXO: Bllokimi i komisionit kuvendor në RMV shpëton 15 pedofilë nga publikimi i të dhënave të tyre në Regjistrin e Posaçëm
- LEXO: Numri i pedofilëve të regjistruar në RMV është 303, regjistri me shumë mangësi, të dhëna shqetësuese (Infografik)