Viteve të fundit është shkruar dhe folur shumë për cilësinë e teksteve shkollore në gjuhën shqipe në RMV, të përpiluara prej autorëve joshqiptarë, të cilët nëpërmjet tyre i përçmojnë fëmijët tanë, ua mohojnë tiparet identitare dhe i paraqesin si pasardhës pushtuesish të “tokave biblike” sllave…
Tekstet që dallohen për fyerjet e paskrupullta janë ato të historisë, gjeografisë dhe edukimit muzikor. Por kjo nuk është e tëra, sepse edhe librat e lëndëve të tjera të shkollave fillore dhe të mesme shqipe kanë të meta për të cilat kam shkruar dhe kam bërë polemika me disa përpilues që nga viti 1993.
Sot, më shumë për t’jua kujtuar vazhdimësinë e gjymtimit të teksteve shkollore në gjuhën shqipe, sesa për të bërë histori, po ndalem shkurt në librat e leximit të kohës së monizmit dedikuar nxënësve shqiptarë, të cilët e mësonin letërsinë me cungime të mëdha, paravërisht përpjekjeve për të anashkaluar sadopak bërthamat e përbashkëta jugosllave, që synonin edukimin në frymën e përcaktimeve ideore komuniste dhe ndërtimin e pikëpamjeve marksiste ndaj jetës dhe punës.
Censorët e asaj kohe kujdeseshin për respektimin e përpiktë të rekomandimeve pushtetare, ndaj, sipas tyre, një numër i madh njesishë mësimore në librat e leximit shqip kërkohej të ishin detyrimisht të autorëve sllavë. Të përbashktën e teksteve në fjalë e përbënin personazhët pozitivë si Stojani e Sllobodanka dhe heronjtë dytësorë , të mbrapshtë dhe të paedukuar si Hasani e Hyseni.
Natyrisht, ndër detyrat parësore të censorëve bënte pjesë dhe sakatosja e krijimeve të arrira letrare, me qëllim që librat e letërsisë të bëjnë sa më shumë dëm që është e mundur dhe t’i bëjnë sa më inferiorë nxënësit shqiptarë.
Shfletimi i kujdesshëm i librave të leximit të kësaj periudhe nxjerr në pah tendencat poshtërruese, që realizoheshin edhe nëpërmjet fragmenteve gjoja të përzgjedhura me kujdes nga veprat e ndryshme. Kështu, nga balada “Gjergj Elez Alia”, që llogarritet ndër perlat e letërsisë gojore, ishin shkëputur dhe botuar në libër vetëm vargjet e përvajshme, plot me dhimbje, pikëllim dhe trishtim:
Trim mbi trima ay Gjergj Elez Alia!
Qe nand’ vjet nand’ varra në shtat m’i ka!
Veç nji motër nat’ e ditë te kryet,
Ja lan varrat me ujt e gurrës nandvjeçe,
Ja lan varrat e vëllait me ata lott e syve,
Ja terë gjakun me ata flokët e ballit…
Nga poezia antologjike e Fan Nolit “Anës lumenjve” ishte botuar gjithashtu vetëm pjesa e parë e saj: vargjet e mbushura me vaj, me lot dhe me njerëz të arratisur, të syrgjynosur, të rraskapitur, të pashpresë, të palarë, të paparë, të pangrënë, të panxënë…
I njëjti mekam u përsërit edhe te poema e mirënjohur e Ndre Mjedës “Andrra e jetës”, ku jepej vetëm pjesa e tretë e saj, ku Lokja vdes e vetme pa pasur kush t’i qesë një dorë krande në vatrën që shuhet përfundimisht:
Vetun zbardh’ e vetun erret
me krye n’hi e shuemja plakë;
nji dorë krande me i ba flakë
përmbi votër kush s’ia qet.
S’do mend se krijimet e cunguara qëllimisht, në shpirtërat e njomë të nxënësve shqiptarë mbillnin përfytyrime të trishta: dimra të acartë, rrugë të humbura, errësira, fatkeqësi, plagë të pashërueshme, oxhaqe që s’tymojnë, kobe, zi, vdekje, disfata… Me një fjalë, tekstet e tilla ndjellnin fatalizmin dhe kultivonin shpirtin e robit, sepse prej tyre qenë hequr me paramendim motivet e jetës: fitoret, rrezet diellore, pranverat, shpresa, optimizmi, buzëqeshjet, lindjet, dashuritë, dasmat…
Kjo traditë e stërzgjatur duhet të jetë arsye e mjaftueshme për t’u ndërprerë njëherë e përgjithmonë botimi i “librat shkollore” që poshtërron dinjitetin dhe vret të ardhmen e fëmijëve, nipave dhe mbesave tona, sepse, siç do të thoshte Dante Aligieri:
Askush mos të harrojë se është njeri,
ju le nuk keni për të gjallue si shtazë,
po për të ndjekë virtyt e dituri…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.