Sot fillon shqyrtimi i propozim-buxhetit të RMV-së për vitin 2027

Në Komisionin parlamentar për Financim dhe Buxhet sot fillon shqyrtimi i Propozim-buxhetit për vitin 2027, në lexim të dytë. Debati në komision do të zgjasë 10 ditë, prej të cilave më së shumti katër ditë janë paraparë për shqyrtimin e përgjithshëm dhe gjashtë ditë për amendamentet. Për Propozim-buxhetin janë dorëzuar mbi 300 amendamente nga propozuesit e autorizuar, transmeton Portalb.mk.

Në Propozim-buxhetin për vitin 2027, të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivelin prej 395,4 miliardë denarësh, që është 5,7 përqind më shumë krahasuar me vitin 2026, ndërsa shpenzimet e përgjithshme janë projektuar në 440,4 miliardë denarë, ose 4,8 për qind më shumë se në vitin 2026.

Deficiti buxhetor është planifikuar në 45 miliardë denarë, përkatësisht 3,5 përqind të BPV-së, dhe është në përputhje me Strategjinë Fiskale për periudhën 2027–2031.

Për shpenzime kapitale janë planifikuar 40,8 miliardë denarë. Të ardhurat tatimore janë projektuar në 223,1 miliardë denarë, që paraqet rritje prej 6,4 përqind. Për transfertat sociale janë paraparë 220,8 miliardë denarë, që është rritje prej 4,1 përqind, prej të cilave 123,8 miliardë denarë janë për pagesën e pensioneve, ose 4,8 përqind më shumë, në përputhje me harmonizimin ligjor.

Në vitin 2027, përveç financimit të deficitit buxhetor, i cili është projektuar në 45 miliardë denarë, shteti ka edhe detyrime për shlyerjen e borxhit në vlerë prej 124,6 miliardë denarësh. Nga detyrimet e përgjithshme për shlyerjen e borxhit, 46,5 miliardë denarë janë për borxhin e jashtëm.

Buxheti 2027 RMVParlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së Veriut