Pas tragjedisë në Novo Mesto, dhanë dorëheqje ministrat slloven të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme

Pas incidentit tragjik në të cilin një baba humbi jetën duke u përpjekur të mbronte të birin para një lokali në Novo Mesto, kryeministri slloven Robert Golob thirri sot takim urgjent për krizën dhe njoftoi dorëheqjen e ministres së Drejtësisë Andreja Katic dhe ministrit të Brendshëm Bozhtjan Poklukar, transmeton Portalb.mk.

Siç raportohet nga H1, incidenti ndodhi të shtunën rreth orës 02:30 të mëngjesit, kur një burrë 20-vjeçar, anëtar i komunitetit rom, dyshohet se goditi për vdekje me thikë një burrë tjetër që kishte mbërritur për të marrë të birin nga një klub nate. Anëtarët e familjes së të ndjerit ishin aktivë në komunitetin lokal dhe publiku është thellësisht i tronditur.

Policia ka arrestuar të dyshuarin, i cili thuhet se ka kryer krime të mëparshme.

Pas një reagimi të fortë publik, duke përfshirë protesta dhe tubime qytetare në Novo Mesto, kryeministri Golob njoftoi se “mjaft është mjaft” dhe premtoi masa urgjente për të rritur sigurinë. U organizua një takim, në të cilin morën pjesë edhe Prokurori i Përgjithshëm i Shtetit, kryetari i Gjykatës Supreme dhe drejtori i policisë.

“Dhuna nuk lind brenda natës. Ajo krijohet në një mjedis ku ndëshkimi nuk vjen pas krimit, ku drejtësia vonohet dhe përgjegjësia humbet kuptimin”, thuhet në përgjigjen e qeverisë.

Presidentja e vendit, Natasha Pirc Musar, gjithashtu dënoi ashpër vrasjen dhe i shprehu ngushëllime familjes. Ajo bëri thirrje për reagime të shpejta dhe vendimtare institucionale dhe u bëri thirrje përfaqësuesve të komunitetit rom të marrin përgjegjësi për sjelljen e anëtarëve të tyre.

“Është e papranueshme që të ketë frikësim dhe dhunë ndaj popullsisë lokale. Ligjet zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë. Ky rast nuk ka asnjë justifikim dhe nuk duhet të keqpërdoret për të përhapur urrejtje ose llogaritje politike”, theksoi Pirc Musar.

Edhe pse qeveria ishte nën kritika të ashpra nga disa nga opozita, dorëheqjet e Katic dhe Poklukar u interpretuan si një sinjal se qeveria është e vetëdijshme për seriozitetin e situatës dhe nevojën për përgjegjësi politike dhe institucionale.

Ndryshe, është paralajmëruar seancë e jashtëzakonshme e Këshillit të Qytetit të Novo Mestos për të martën, dhe pritet tubim proteste i qytetarëve para lokalit ku ndodhi vrasja po atë ditë.

DorëheqjeSlloveniaVrasje - Ekzekutim