Banka Popullore e Serbisë ia revokoi licencën edhe “Alta Leasingut”

Banka Popullore e Serbisë (NBS) më 17 nëntor ia revokoi licencën për lizing financiar kompanisë “Alta Leasing” nga Beogradi dhe konstatoi se janë plotësuar kushtet për nisjen e procedurës së likuidimit të saj, raportoi N1.

Vendimi vjen pas revokimit të licencës dhe hapjes së procedurës së falimentimit ndaj “Alta Banka” Beograd, e cila është pronarja e vetme e kompanisë. Sipas rregullatorit, banka nuk i plotëson më kushtet e përcaktuara sa i përket gjendjes financiare dhe reputacionit afarist, me çka janë krijuar kushtet ligjore për revokimin e licencës edhe të “Alta Leasing”.

Analiza e NBS-së ka treguar se pasuria e kompanisë është më e madhe se detyrimet e saj. Për këtë arsye, rregullatori ka konstatuar se janë plotësuar kushtet për likuidim, duke e vlerësuar atë si zgjidhje më të favorshme për kreditorët dhe përdoruesit e lizingut.

Njëkohësisht, është shqiptuar ndalim për disponimin me pasurinë e “Alta Leasing”, i cili do të jetë në fuqi deri në hapjen e procedurës së likuidimit para gjykatës kompetente ekonomike. Funksionin e likuiduesit do ta kryejë Agjencia Serbe për Sigurimin e Depozitave.

Nga dita e regjistrimit të vendimit për revokimin e licencës, kompania nuk do të mund të lidhë kontrata të reja për lizing financiar. Të drejtat dhe detyrimet nga kontratat e lidhura më parë mbeten në fuqi. Veprimet juridike të kryera në emër dhe për llogari të kompanisë nga miratimi i vendimit deri në hapjen e procedurës së likuidimit janë të pavlefshme.

NBS thekson se përdoruesit dhe debitorët e tjerë duhet t’i përmbushin rregullisht detyrimet e kontraktuara. Vonesat, sipas kushteve të kontratave, mund të çojnë në ndërprerjen e tyre dhe në kërkesën për pagesën e të gjitha detyrimeve të mbetura.

Rregullatori njoftoi gjithashtu se këto vendime nuk e rrezikojnë stabilitetin e sistemit financiar serb. “Alta Leasing” merret me lizing financiar dhe nuk mbledh depozita nga qytetarët dhe kompanitë.

“Alta Banka” Beogradit iu revokua licenca më 31 tetor, ndërsa më 3 nëntor u hap procedura e falimentimit. Për pagesën e depozitave të siguruara u përzgjodh “Poshtanska shtedionica”.

Pronari Davor Macura u arrestua më 2 nëntor, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe nxjerrje të paligjshme të rreth 380 milionë eurove nga banka. Ai e ka mohuar fajësinë, ndërsa Gjykata e Lartë në Beograd më 4 nëntor i caktoi paraburgim deri në 30 ditë, raporton N1.

Zhvillimet me aksionarin nga Beogradi sollën masa edhe në Maqedoninë e Veriut. Banka Popullore më 1 nëntor vendosi administrim të përkohshëm në “Alta Banka” SHA Manastir, me arsyetimin se duhet të mbrohen pasuria e bankës dhe interesat e depozituesve deri në ndryshimin e pronësisë.

Banka - BankëSerbia