Hakerët e vodhën qeverinë e Bullgarisë

Bullgaria ka arritur të ndërpresë një operacion të gjatë kibernetik spiunazhi që kishte shënjestruar administratën shtetërore, pasi grupe ndërkombëtare hakerësh kishin ruajtur akses të fshehtë në sistemet informatike të institucioneve qeveritare për gati pesë vjet, nga viti 2021 deri në gusht të vitit 2026, raporton ABC. Rasti u bë publik nga ministri bullgar i Inovacionit dhe Transformimit Digjital, Ivan Vasilev, pas një mbledhjeje të kabinetit qeveritar. Sipas hetimeve, hakerët kishin nxjerrë të paktën 130 gigabajt dokumente qeveritare, ekuivalente me më shumë se 62 milionë faqe, ndërsa monitoronin shkëmbimin e informacionit mes institucioneve shtetërore.

“Objektivat e sulmeve kibernetike ishin sistemet e shkëmbimit të dokumenteve qeveritare. Deri më tani, nuk janë gjetur prova se të dhënat personale të qytetarëve bullgarë janë komprometuar”, deklaroi Vasilev. Ndërhyrja u zbulua në gusht, përmes sistemit të ri kombëtar të monitorimit të sigurisë kibernetike të Bullgarisë, i cili për herë të parë mundëson një pasqyrë të plotë të aktivitetit në rrjetet qeveritare.

Pas zbulimit, u krijua një grup ndërinstitucional, ku përfshiheshin Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Shtetërore e Sigurisë Kombëtare shërbimet civile dhe ushtarake të inteligjencës, si dhe institucione të tjera. Në hetim dhe në reagimin ndaj sulmit ndihmuan edhe partnerë ndërkombëtarë. Vasilev bëri të ditur se autoritetet kishin përfunduar të tria fazat e planit të reagimit: vlerësimin e përmasave të ndërhyrjes, izolimin e sistemeve të komprometuara dhe largimin përfundimtar të hakerëve nga rrjetet qeveritare.

Sipas tij, operacioni përfshinte grupe ndërkombëtare hakerësh, aktiviteti i të cilave ishte gjurmuar në disa vende të botës. Megjithatë, hetuesit nuk kanë arritur të përcaktojnë nëse këto grupe vepronin në mënyrë të pavarur, si pjesë e një rrjeti të koordinuar apo në emër të qeverive të huaja ose agjencive të inteligjencës.

Qëllimi i operacionit të spiunazhit mbetet i paqartë, ndërsa ministri pranoi se nuk kishte informacion mbi mënyrën se si hakerët i kishin përdorur dokumentet e vjedhura. Autoritetet kanë nisur gjithashtu një hetim të brendshëm në institucionet e prekura, për të përcaktuar se si ndërhyrja kishte mbetur e pazbuluar për gati pesë vjet ndersa ceshtja eshte referuar ne prokurori.

BullgariaInternetiSulm hakerësh - Haker(e)TECH - Teknologji