A është larguar Milan Radoiçiq nga Serbia dhe, nëse po, si ka mundur ta bëjë këtë pa pasaportë? Këto janë pyetjet për të cilat institucionet përgjegjëse serbe nuk japin përgjigje. Radoiçiq, i afërt me pushtetin në largim të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), është nën hetime në Serbi për sulmin e armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës, në shtator të vitit 2023, raporton Radio Evropa e Lirë.
Atij i humbën gjurmët në kohën kur Serbia po përgatitet për ndryshimin e pushtetit, pas humbjes së SNS-së në zgjedhjet e tetorit.
Edhe tre vjet pas sulmit të armatosur në Banjskë, ku u vra një polic i Kosovës dhe tre sulmues, autoritetet serbe nuk kanë ngritur aktakuzë ndaj Radoiçiqit.
Më 17 nëntor, Gjykata e Lartë në Beograd njoftoi se kishte marrë vendim për caktimin e paraburgimit dhe shpalljen e Radoiçiqit në kërkim, pasi ai nuk ishte paraqitur në polici më 15 nëntor.
Radoiçiq ishte i detyruar, sipas masës së vendosur nga gjykata, të paraqitej në polici më 1 dhe 15 të çdo muaji.
“Është plotësisht e qartë se Radoiçiq ka ikur, sepse është lejuar të largohet dhe është paralajmëruar”, thotë avokati nga Beogradi, Aleksandar Olenik.
Sipas tij, në periudhën e pritjes së formimit të pushtetit të ri, “policia, në përgjithësi, nuk e dëgjon prokurorinë dhe, në përgjithësi, nuk dëshiron ta mbrojë interesin publik”.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse është duke e kërkuar Radoiçiqin.
Ajo nuk iu përgjigj as pyetjeve nëse ai është larguar nga Serbia dhe, nëse po, si ka mundur ta bëjë këtë pa pasaportë dhe në kundërshtim me masat gjyqësore në fuqi.
Radoiçiq nuk kishte të drejtë të largohej nga vendbanimi pa leje, e kishte të ndaluar të shkonte në Kosovë dhe i ishte konfiskuar pasaporta.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd e dyshon atë për disa vepra penale, që lidhen me furnizimin e paligjshëm me armë dhe “shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm”.
Vetë Radoiçiq ka pranuar se e ka udhëhequr grupin e armatosur që kreu sulmin në fshatin Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.
Çfarë po ndodh me hetimet ndaj Radoiçiqit në Serbi?
Kryeprokurori i Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, Nenad Stefanoviq, tha më 16 nëntor se aktakuza për rastin Banjska nuk është ngritur, pasi autoriteteve serbe nuk u janë dorëzuar provat nga Kosova.
Megjithatë, pas sulmit të armatosur në Banjskë, Kosova kishte shpallur Radoiçiqin në kërkim përmes UNMIK-ut, por Serbia nuk kishte vepruar në bazë të këtij urdhërarrestimi.
Prokuroria e Kosovës ka akuzuar 45 persona për sulmin në Banjskë, prej të cilëve tre janë dënuar, ndërsa të tjerët, përfshirë Radoiçiqin, janë në arrati.
Si Bashkimi Evropian, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara, kanë kërkuar vazhdimisht që përgjegjësit për sulmin në Banjskë të dalin para drejtësisë.
Këto kërkesa u janë drejtuar edhe autoriteteve në Beograd.
Edhe pse Aleksandar Vuçiqi, gjatë mandatit të tij si president i Serbisë, kishte premtuar disa herë se Radoiçiq do të ndiqej penalisht, kjo nuk ka ndodhur as tre vjet pas sulmit.
Radoiçiq është gjithashtu nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë së Madhe, për shkak të akuzave që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.