Në hyrje të Çarshisë së Vjetër në Shkup kanë nisur punimet për ndërrimin e pllakave, të cilat prej kohësh ishin dëmtuar, problem për të cilin ka raportuar edhe Portalb.mk.
Për nisjen e punimeve njoftoi edhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski. Ai tha se pllakat e dëmtuara në hyrje të Çarshisë po zëvendësohen me pllaka të reja travertini, me qëllim të zgjidhjes së këtij problemi.
“Pas vitesh neglizhence, në hyrje të Çarshisë, në të gjitha pjesët ku ka dëmtime, pllakat e thyera po zëvendësohen me pllaka të reja travertini. Me këtë ndërhyrje po zgjidhim një problem konkret për zejtarët, shkupjanët dhe vizitorët”, tha Gjorgjievski.
Megjithatë, Çarshia e Vjetër vazhdon të përballet edhe me probleme të tjera infrastrukturore. Portalb.mk në disa raportime ka trajtuar ankesat e zejtarëve dhe pronarëve të bizneseve për gjendjen e kalldrëmeve, të cilat në disa pjesë janë të dëmtuara dhe vështirësojnë qarkullimin e këmbësorëve.
Tjetër problem mbetet mungesa e parkingjeve për zejtarët dhe vizitorët. Në këtë drejtim, prej vitesh është paralajmëruar si zgjidhje ndërtimi i parkingut nëntokësor në Sheshin “Skënderbeu”, por projekti ende nuk është realizuar.
Në raportimet e Portalb.mk, zejtarët dhe pronarët e bizneseve janë ankuar edhe për mungesën e tualeteve publike dhe higjienën e dobët në Çarshi. Ata kanë kërkuar nga institucionet që të ndërmarrin masa për zgjidhjen e këtyre problemeve, të cilat vazhdojnë të ndikojnë në punën e bizneseve dhe kushtet për vizitorët.
Çarshia e Vjetër e Shkupit si lokacion biznesi daton që nga shekulli XII. Me ardhjen e Perandorisë Osmane në Ballkan, u shndërrua në qendër kryesore të tregtisë së qytetit. Në të ndodheshin xhami, karvansaraje dhe hane.
Gjatë periudhave të ndryshme historike e njëjta u godit nga fatkeqësi natyrore dhe dy luftërat botërore, por me iniciativë të sipërmarrësve që kanë bizneset aty pranë, u rindërtua duke ruajtur autenticitetin, deri në ditët e sotme.
Më 13 tetor të vitit 2008 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut u miratua ligj i posaçëm për Çarshinë e Vjetër të Shkupit, si trashëgimi kulturore me rëndësi të veçantë.