Numri i të prekurve të rinj nga gripi në vend është në rritje, tregon raporti më i fundit i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), i cili i referohet javës së 46-të të këtij viti, përkatësisht periudhës nga 9 deri më 15 nëntor, transmeton Portalb.mk.
Sipas të dhënave, gjatë javës së kaluar janë regjistruar gjithsej 154 raste të reja të gripit, që paraqet rritje prej 37,5 përqind krahasuar me javën paraprake, kur ishin evidentuar 112 të prekur.
Raporti i ISHP-së tregon gjithashtu rritje të konsiderueshme të numrit të të prekurve në krahasim me vitin e kaluar. Numri është 31,6 përqind më i lartë krahasuar me të njëjtën javë të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 117 raste, ndërsa është 73,2 përqind mbi mesataren e modelit për 16 sezonet e fundit.
Më së shumti të prekur në Tetovë, Shkup dhe Kumanovë
Pjesa më e madhe e rasteve të reja në javën e 46-të janë raportuar në: Tetovë – 49, Shkup – 38, Kumanovë – 19, Radovish – 12, Veles – 8, Gostivar – 7, Prilep – 5 dhe Strumicë – 3.
Nga dy raste janë regjistruar në Resnjë, Negotinë, Ohër dhe Shtip, ndërsa nga një i prekur në Gjevgjeli dhe Makedonski Brod.
Struktura e moshës tregon se virusi prek më së shumti popullsinë në moshë pune. Nga numri i përgjithshëm i të prekurve gjatë javës së kaluar, 102 persona janë të moshës 15 deri në 64 vjeç, 22 janë mbi 65 vjeç, 16 janë fëmijë deri në moshën katërvjeçare, ndërsa 14 janë fëmijë të moshës 5 deri në 14 vjeç.
Në laboratorin e virologjisë të ISHP-së gjatë kësaj periudhe kanë mbërritur 64 mostra nga mbikëqyrja rutinore, të cilat paralelisht testohen për grip, COVID-19 (SARS-CoV-2) dhe virusin sincicial respirator (RSV). Në laborator janë konfirmuar katër mostra pozitive për grip – tri të tipit Influenza A (të pasubtipizuara) dhe një Influenza A(H3), si dhe tri raste pozitive me COVID-19.
Gjithsej 609 të prekur nga fillimi i sezonit
Në mënyrë kumulative, gjatë sezonit 2026/2027 deri më tani janë regjistruar 609 raste të gripit, të raportuara nga 19 qendra të shëndetit publik dhe njësitë e tyre rajonale. Kjo paraqet rritje prej 6,7 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar (571 raste) dhe 30,8 përqind më shumë në raport me modelin sezonal 16-vjeçar (466 raste).
Tetova mbetet vatra më e madhe e gripit edhe në nivel kumulativ, me gjithsej 198 persona të prekur dhe me incidencën më të lartë në vend. Pjesën më të madhe të numrit të përgjithshëm të të prekurve që nga fillimi i sezonit e përbëjnë personat e moshës 15 deri në 64 vjeç – 438 raste ose 71,9 përqind.
Deri më tani mbi 25 mijë qytetarë janë vaksinuar falas
Nga Instituti i Shëndetit Publik rikujtojnë se vaksinimi mbetet mbrojtja më efikase, veçanërisht për kategoritë e rrezikuara – personat mbi 65 vjeç, të sëmurët kronikë, fëmijët, gratë shtatzëna dhe punonjësit shëndetësorë.
Imunizimi kundër gripit sezonal në vend ka filluar më 21 tetor dhe po zhvillohet në qendrat e shëndetit publik, njësitë e tyre rajonale dhe në shtëpitë e shëndetit, ndërsa punonjësit shëndetësorë nga Shkupi vaksinohen në ISHP. Terminet për vaksinat falas caktohen përmes ueb-faqes vakcinacija.mk.
Sipas të dhënave të Drejtorisë për Shëndetësi Elektronike, deri në mbylljen e raportit, gjithsej 25.458 persona nga grupet e rrezikuara janë imunizuar me vaksinë falas.
Rekomandime për mbrojtje dhe veprim në rast të simptomave
Për të ulur rrezikun e infektimit gjatë periudhës së dimrit, autoritetet shëndetësore rekomandojnë shmangien e tubimeve dhe qëndrimit në hapësira të mbyllura me shumë njerëz, si dhe të kontaktit të afërt me persona që kolliten, teshtijnë ose kanë temperaturë të lartë. Gjithashtu, rekomandohet larja e rregullt e duarve me ujë dhe sapun ose përdorimi i mjeteve dezinfektuese, ajrosja dhe ngrohja e rregullt e ambienteve, veshja me disa shtresa dhe konsumimi i pijeve të ngrohta dhe ushqimeve të pasura me vitamina e minerale, veçanërisht me vitaminë C.
Për personat që tashmë kanë simptoma të gripit, rekomandohet të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos shkojnë në punë, shkollë apo vende publike, të pushojnë dhe të konsumojnë shumë lëngje. Në kushte shtëpie këshillohet mbajtja e maskës mbrojtëse gjatë kontaktit me familjarët, mbulimi i hundës dhe gojës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, dezinfektimi i rregullt i sipërfaqeve dhe ajrosja e shpeshtë e ambienteve.
Personat mbi 65 vjeç, të sëmurët kronikë, si dhe të gjithë ata te të cilët simptomat përkeqësohen ose zgjasin disa ditë, duhet patjetër të kërkojnë ndihmë mjekësore.