Dogana e Maqedonisë parandaloi importin e paligjshëm të 2.8 tonëve kripë të pajodizuar

Importimi i 2,8 tonëve kripë të pajodizuar është parandaluar, njoftoi sot Drejtoria e Doganave. Importimi i kripës së pajodizuar, siç theksojnë nga atje, është i ndaluar sipas legjislacionit të Maqedonisë, transmeton Portalb.mk.

Rasti është zbuluar gjatë kontrollit të një dërgese të deklaruar si kripë industriale.

Importuesi, i cili është prodhues i ushqimit, kishte dorëzuar një deklaratë se kripa do të përdorej për qëllime industriale. Megjithatë, gjatë kontrollit është konstatuar se bëhej fjalë për kripë të pajodizuar dhe jo për kripë industriale, siç ishte shënuar në deklaratë dhe në deklaratën doganore të importit.

“Sipas legjislacionit të Maqedonisë, kripa që përdoret në ushqim detyrimisht duhet të jetë e jodizuar, për shkak të pasojave të dëmshme që konsumimi i kripës së pajodizuar mund të ketë për shëndetin e qytetarëve”, njoftuan nga Drejtoria e Doganave.

Ndaj personave të dyshuar është nisur procedura përkatëse, ndërsa me vendim të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, kripa e konfiskuar është asgjësuar në deponinë “Drislla”.

Nga Drejtoria e Doganave theksojnë se zbulimi i mashtrimeve doganore që lidhen me ushqimin është një nga prioritetet kryesore të institucionit, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

Në këtë drejtim, vitin e kaluar është nënshkruar edhe memorandum për shkëmbimin e të dhënave me Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari, përmes të cilit, siç theksojnë, është avancuar lufta kundër kriminalitetit që lidhet me ushqimin.

Drejtoria e doganave RMV