Pas dy dekadash dhe mbi 30 amendamenteve, reformat zgjedhore në RMV ende të papërfunduara

Për herë të 37-të, rregullat zgjedhore janë bërë sërish objekt pazari politik, në vend që të përbëjnë një kornizë të qëndrueshme ligjore. Nëse do të mbeten gjashtë zona zgjedhore apo do të vendoset një zonë e vetme zgjedhore, votimi elektronik i diasporës dhe rishpërndarja e fondeve për reklamimin mediatik mes partive të mëdha dhe të vogla – këto janë pengesat kryesore për shkak të të cilave ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë bllokuar në Kuvend nga opozita me rreth 14 mijë amendamente, raporton Kolegium.mk, transmeton Portalb.mk.

Bllokadat aktuale nuk janë një përplasje e izoluar politike. Ato janë vazhdim i një praktike shumëvjeçare, ku rregullat zgjedhore ndryshohen pak para zgjedhjeve, në vend që të jenë rezultat i një konsensusi afatgjatë politik. Që nga viti 2006 e deri më sot janë bërë gjithsej 36 ndryshime në Kodin Zgjedhor, sipas të dhënave të Gazetës Zyrtare, ku publikohen të gjitha ligjet.

Një zonë zgjedhore – debat që zgjat të paktën gjashtë vjet

Debati për një zonë të vetme zgjedhore vazhdon që nga viti 2020. Partitë politike, kur janë në opozitë, kërkojnë vendosjen e saj, por sapo marrin pushtetin, nuk e lejojnë.

Në programin zgjedhor të VMRO-DPMNE-së për zgjedhjet e vitit 2024 thuhej se një zonë zgjedhore dhe ulja e numrit të deputetëve do të ishin pjesë e reformave të saj. Një vit më vonë, ky premtim u modifikua disi.

“Por, në parim, deputetët e grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së do të mbështesin një zonë zgjedhore, ku të drejtë vote do të ketë edhe diaspora”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në korrik të vitit 2025.

Çfarë po e bllokon në të vërtetë Kuvendin?

Edhe pse në opinionin publik vëmendja është përqendruar kryesisht te çështja e kandidatëve të pavarur, mosmarrëveshja është shumë më e gjerë.

Listat e pavarura

Pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi pragun e lartë të nënshkrimeve për kandidatët e pavarur, Kuvendi duhet të rregullojë sërish kushtet për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. Nismat qytetare kërkojnë një prag shumë më të ulët, duke vlerësuar se kërkesat aktuale diskriminojnë kandidatët e pavarur në krahasim me partitë politike.

Nga ana tjetër, një pjesë e partive parlamentare paralajmërojnë se një prag shumë i ulët mund të çojë në një numër të madh kandidaturash formale pa mbështetje reale.

ODIHR rekomandon që kushtet për kandidim të jenë proporcionale, jodiskriminuese dhe të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje.

Rekomandimet e OSBE-së

Edhe pse të gjitha partitë më të mëdha deklarojnë se mbështesin harmonizimin me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe standardet evropiane, në praktikë pothuajse çdo ndryshim hap konflikte të reja politike dhe nuk i përmbush as për së afërmi rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë.

Vërejtjet që përsëriten më shpesh janë: kontroll më efikas i donacioneve, mbikëqyrje më e mirë e shpenzimeve, publikim më i shpejtë i raporteve financiare, sanksione më efektive për shkelësit, zgjidhje më e shpejtë e ankesave zgjedhore dhe përcaktim më i qartë i kompetencave të institucioneve.

Dy vjet më parë, Ministria e Drejtësisë pretendonte se ligji i ri zgjedhor i përfshinte plotësisht rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, por ai projektligj nuk arriti kurrë nga grupi i punës deri te deputetët në Kuvend.

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor do t’i sjellin katër milionë euro buxhetit të shtetit

Detyrimi për miratimin e një Kodi të ri Zgjedhor është pjesë e Agjendës së Reformave të vendit në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të miratuar nga Komisioni Evropian, ku theksohet se Maqedonia e Veriut duhet të miratojë një Kod krejtësisht të ri Zgjedhor.

“Në mars të vitit 2024 u miratuan ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Megjithatë, për të mundësuar zbatimin e rekomandimeve të fundit të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, duhet të miratohet një Kod i ri Zgjedhor”, thuhet në Agjendën e Reformave.

Pikërisht kësaj i referohen edhe deputetët e shumicës qeverisëse, të cilët janë propozues të ndryshimeve, në arsyetimin për miratimin e tyre me procedurë të përshpejtuar.

“Deri më tani, në Kodin Zgjedhor është rregulluar vetëm një pjesë e vogël e rekomandimeve të ODIHR-it”, thuhet në arsyetim.

Megjithatë, edhe kësaj radhe situata mbetet e njëjtë. Edhe këto ndryshime përfshijnë vetëm një pjesë të vogël të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, vlerësojnë ekspertët.

Që nga viti 2006, pothuajse secili cikël zgjedhor me rregulla të reja

Kodi Zgjedhor u miratua në vitin 2006 me synimin që në një ligj të vetëm të bashkonte rregullat për zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe lokale. Qëllimi ishte krijimi i një sistemi të qëndrueshëm zgjedhor dhe ndërprerja e praktikës së ndryshimit të ligjit para çdo cikli zgjedhor.

Por ndodhi pikërisht e kundërta.

Në njëzet vitet e fundit, Kodi është ndryshuar gjithsej 36 herë. Një pjesë e ndryshimeve kanë qenë teknike, por shumë prej tyre kanë prekur çështje thelbësore si administrata zgjedhore, financimi i fushatave, përfaqësimi mediatik, lista zgjedhore, afatet për kandidim, identifikimi elektronik i votuesve, rregullat për kandidatët e pavarur dhe kompetencat e institucioneve.

Ndryshimet më intensive u bënë para zgjedhjeve parlamentare të viteve 2011, 2014, 2016 dhe 2020, si dhe para zgjedhjeve lokale të 2017, 2021 dhe ciklit të fundit zgjedhor.

OSBE/ODIHR ka vlerësuar në disa raste se kjo praktikë e ndryshimeve të shpeshta e ul sigurinë juridike dhe krijon pasiguri për të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor.

Nëse vazhdohet kështu, Kodi Zgjedhor me shumë gjasa nuk do të përfshihet në ligjet reformuese të zbatuara për të cilat Maqedonia duhet të paraqesë raport në Komisionin Evropian më 15 korrik mbi atë që është bërë deri në fund të 30 qershorit.

Afati fillestar për miratimin e këtij ligji ishte 30 qershori 2025, por pasi ky afat nuk u përmbush, qeveria mori qëndrimin se afati nuk ishte shkelur sepse ka një periudhë “grejs” deri në fund të qershorit 2026.

Grupi i punës për reformën e Kodit Zgjedhor u formua më 3 mars të këtij viti, katër muaj para afatit për reformat zgjedhore, dhe punoi në një dokument me ndryshime të propozuara të përgatitura nga Ministria e Drejtësisë në qershor 2025.

E Majta – Levica partiaKodi ZgjedhorLidhja Social Demokrate (LSDM)Parti politikeVMRO-DPMNE