Rezistencë për decentralizimin e terapisë onkologjike, Klekovski: Punojmë për ta zgjidhur

Ka rezistencë në Klinikën e Onkologjisë dhe në disa spitale klinike ku duhet të decentralizohet terapia, megjithatë, po punojmë me drejtuesit e këtyre institucioneve që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt, tha ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, transmeton Portalb.mk.

Në konferencën për shtyp me rastin e 100 ditëve në detyrë, Klekovski foli për disa probleme thelbësore dhe tha se fushat ku duhet të bëhet shumë më tepër janë radiologjia, onkologjia, Qendra Klinike “Nënë Tereza” dhe rishikimi i konceptit të kujdesit afatgjatë.

I pyetur nga gazetarët për decentralizimin e paralajmëruar prej kohësh të terapisë onkologjike, Klekovski u përgjigj:

“Do të bëj një analogji me Klinikën e Neurologjisë. Thoshin se kishte shumë punë, sepse shumë pacientë merrnin terapi biologjike për sklerozën multiple. Por në momentin kur thamë: ‘Le ta japim terapinë jashtë Klinikës së Neurologjisë’, filloi rezistenca. Por duhet të them se kemi punuar një vit të tërë që kjo terapi të fillojë të aplikohet fillimisht në Shtip, Ohër dhe në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit (SPQ) ‘8 Shtatori’ në Shkup.

Planin kombëtar do ta përgatisim, por thelbi është se Klinika e Onkologjisë do të mbetet spitali qendror për trajtim, ndërsa është e domosdoshme që një pjesë e terapive të transferohen në disa spitale të tjera, më afër vendbanimit të pacientëve”, tha ministri.

Ministri shtoi se po punohet për përmirësimin e shërbimeve në disa spitale jashtë Klinikës së Onkologjisë, si dhe për rishikimin e mënyrës së organizimit të radioterapisë.

“Përpjekja e mëparshme ka qenë e pasuksesshme. Me sa duket, para 10 vjetësh kemi blerë përshpejtues linearë (akseleratorë), të cilët nuk janë në përdorim, dhe duhet ta shqyrtojmë këtë çështje nga një këndvështrim i ri. Së shpejti do të kemi edhe sugjerime për këtë. Pra, decentralizimi i terapisë duhet të fillojë brenda tre muajve, të paktën në dy spitale. Nëse ia dalim, do të fillojë edhe në një spital të tretë jashtë Shkupit, gjë që duhet ta lehtësojë ngarkesën mbi kapacitetet aktuale”, tha Klekovski.

Pacientët onkologjikë prej vitesh përballen me mungesë të terapisë. Ata gjithashtu alarmojnë për kushtet çnjerëzore në klinikë, mbingarkesën me pacientë, si dhe problemet e vazhdueshme me skriningjet. Ministri i ri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, ngjashëm si paraardhësit e tij premtoi zgjidhje.

Ndërkaq, edhe Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar gjithashtu se programi për zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje nuk po jep rezultatet e pritura, megjithëse në vitin 2023 janë shpenzuar 22.9 milionë denarë për aktivitete skriningu.

Nga ana tjetër, ekspertët vazhdojnë të theksojnë rëndësinë e kontrolleve të rregullta, veçanërisht për kancerin e gjirit, numri i rasteve të të cilit ka shënuar rritje të vazhdueshme në vend.

Klinika e Onkologjisë ShkupMinistria e Shëndetësisë (MSH)Sasho Klekovski