Ortodoksët në RMV i festojnë Krishtlindjet, uruan krerët shtetëror

Besimtarët ortodoksë në Maqedoninë e Veriut sot i festojnë Krishlindjet, kjo festë është gjenezë e të gjitha festave kishtare, për shkak se me lindjen e Krishtit llogaritet edhe fillimi i erës së re, raporton Portalb.mk.

Në tempujt kishtarë të Kishës Ortodokse mbahen liturgji për Krishtlindjet.

Për këtë festë kanë uruar krerët e shtetit.

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova tha se edhe këtë vit, festat e Krishtlindjes do ta forcojnë besimin dhe shpresën tonë dhe do të na kujtojnë nevojën thelbësore të njeriut për të bërë vepra të mira.

“Të gëzohemi me jetën dhe të kontribuojmë për të mirën e komunitetit. T’i hapim gjerësisht zemrat tona për të gjithë të afërmit, që, të bashkuar në solidaritet, ta krijojmë dhe ta ndërtojmë mirëqenien e shoqërisë maqedonase”, tha Siljanovska Davkova.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi tha se kjo ditë përbën një mundësi për të theksuar rëndësinë e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës dhe harmonisë shoqërore, si vlera themelore mbi të cilat ndërtohet stabiliteti institucional dhe demokratik i shtetit.

“Kjo festë të sjellë qetësi, shëndet dhe mirëqenie në familjet tuaja. Le të shërbejë kjo periudhë si një nxitje për përgjegjësi të përbashkët, mirëkuptim dhe bashkëpunim qytetar”, tha Gashi.

Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se në kohë ndryshimesh të shpejta dhe shumë sfidash, kjo festë na fton të ndalemi, të reflektojmë dhe t’u rikthehemi vlerave që na kanë mbajtur gjallë: solidaritetit, kujdesit të ndërsjellë dhe përgjegjësisë ndaj të afërmit.

“Krishtlindja është edhe një kujtesë për rëndësinë e unitetit. Vetëm si një komunitet që respekton njëri-tjetrin, dëgjon dhe ndihmon, mund t’u përgjigjemi sfidave dhe të ndërtojmë një shtet të qëndrueshëm, të drejtë dhe të sigurt. Të gjithë të krishterëve ortodoksë u uroj paqe në shtëpitë e tyre, shëndet dhe qetësi në familje, si dhe forcë për të vazhduar edhe më të fortë, me përgjegjësi dhe dinjitet”, tha Mickoski.

Festa e Krishtlindjeve është festë e krishtere dhe festohet në kujtim të lindjes së Jezu Krishtit.

Kujtojmë se dje besimtarët krishterë ortodoks në Maqedoninë e Veriut e festuan Buzmin, një ditë para festës së madhe, Lindjes së Krishtit – Krishtlindjet.

7 janari është ditë jo pune për të gjithë qytetarët në Maqedoninë e Veriut.

Feja ortodokse krishtereKrishtlindjet