Në Maqedoninë e Veriut, gjatë vitit 2024 u regjistruan 78 të vdekur në aksidente trafiku për një milion banorë. Kjo shifër është mbi mesataren e Bashkimit Evropian, ku u regjistruan 45 viktima për një milion banorë, tregojnë të dhënat e Eurostatit, transmeton Portalb.mk.
Në rajon, Serbia kishte të njëjtën shkallë si Maqedonia e Veriut, me 78 viktima për një milion banorë. Shqipëria regjistroi 74, ndërsa Mali i Zi kishte shkallën më të lartë, me 120 viktima.
Në të gjithë BE-në, gjatë vitit 2024 humbën jetën 20.210 persona në aksidente trafiku.
Shkallën më të lartë e kishte rajoni veriperëndimor i Bullgarisë, me 148 viktima për një milion banorë. Pas tij renditej Alentezho në Portugali, me 137. Shifra të larta u regjistruan edhe në Guadelupë, Guajanën Franceze, Korsikë dhe Olteninë Jugperëndimore të Rumanisë.
Ndërkohë, 15 rajone të BE-së regjistruan më pak se 20 viktima për një milion banorë. Në Oland të Finlandës nuk pati asnjë të vdekur nga aksidentet e trafikut.
Brukseli regjistroi nëntë viktima për një milion banorë, ndërsa Stokholmi dhe Vjena nga 10. Në Melilja dhe Seuta të Spanjës u regjistruan përkatësisht 11 dhe 12 viktima për një milion banorë.