Organizatat qytetare në RMV kërkojnë që për kandidimin e këshilltarëve të pavarur kushti të jetë nga 20 deri më 100 nënshkrime

Nëntë organizata dhe iniciativa qytetare sërish bënë thirrje për tërheqjen e ndryshimeve jokushtetuese në Kodin Zgjedhor dhe për propozimin e ndryshimeve të reja që do të ishin në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mundësitë e këshilltarëve të pavarur për të kandiduar në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti, transmeton Portalb.mk.

Ata kërkojnë që për listat e kandidatëve të pavarur të vendoset një kusht prej 20 deri në 100 nënshkrime të mbledhura dhe 200 nënshkrime të mbledhura për Qytetin e Shkupit, duke e ndjekur kështu shembullin e shumë vendeve evropiane, që të lejohet mbledhja e nënshkrimeve në terren dhe jashtë zyrave të KSHZ-së si në vendet evropiane dhe që periudha për mbledhjen e nënshkrimeve të zgjatet deri në 30 ditë.

Qyteti i Gjelbër Human, Shans për Qendrë, Të Pavarur për Karposhin – Për Mbrojtjen e Karposhit, Ndryshe në Komunën e Manastirit, Mjaft më – Strumicë, Mjaft më – Bosillovë, Mjaft më – Novo Sello, Ish-këshilltarët e pavarur nga “Më mirë për Tetovën” dhe Iniciativa Qytetare e Të Gjelbërve nga Gazi Baba, kërkojnë edhe që emrat e listave të këshilltarëve të pavarur të shënohen plotësisht në fletëvotim, e jo si deri më tani vetëm emri i bartësit, në mënyrë që të sigurohet barazia midis të gjithë aktorëve politikë në përcaktimin e renditjes së listës së vetme të kandidatëve për zgjedhjen e presidentit, deputetëve, anëtarëve të këshillit ose kryetarit të komunës me ndihmën e shortit dhe që të ndryshohet dispozita për qasje në hapësirën mediatike dhe financimin e fushatës zgjedhore.

Një nga kërkesat është që gjatë dorëzimit të ndryshimeve të reja në Kodin Zgjedhor të organizohet një debat publik me përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara, përfshirë këtu kandidatët e pavarur që janë më të prekurit, por edhe Ministrinë e Drejtësisë dhe Presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, si dhe misionet vëzhguese në vend.

“E drejta e qytetarëve të Maqedonisë për të kandiduar për poste publike është e garantuar me Kushtetutë që nga pavarësia e Republikës dhe është një e drejtë që është ushtruar lirshëm për më shumë se tre dekada. Prandaj, nëse kjo përbërje parlamentare nuk ofron kushte të drejta për kandidatët e pavarur për të kandiduar në zgjedhje përmes Kodit Zgjedhor, ose me vetëdije e pengon pjesëmarrjen e të pavarurve, do të jetë e para në historinë e pavarësisë së Maqedonisë që do ta nënshkruajë në mënyrë të paskrupullt një fshirje institucionale të të drejtave qytetare, që është një precedent jashtëzakonisht i rrezikshëm me pasoja të paparashikueshme”, thuhet në deklaratën e përbashkët të nëntë organizatave.

Ata besojnë se mundësia që çdo qytetar të kandidojë për një post në qeverisjen lokale nuk është një privilegj, por thelb i demokracisë, ndërsa çështjet lokale si uji, ajri dhe rrugët janë më urgjente dhe të rëndësishme për jetën e përditshme.

Aktivistët qytetarë thonë se kur shteti e pamundëson pjesëmarrjen e zërave të pavarur pikërisht aty ku ndikimi është më i drejtpërdrejtë, ai jo vetëm që e ngulfat konkurrencën politike, por edhe i privon njerëzit nga e drejta themelore njerëzore për të vendosur vetë për çështjet më urgjente të jetës së tyre.

“Kandidatët e pavarur në zgjedhjet e fundit lokale e konfirmuan veten si forca e katërt politike. Por nëse marrim parasysh se votat tona u dhanë me sinqeritet – pa shantazhim, pa punësime të premtuara, pa presion dhe frikësim, atëherë bëhet e qartë se pse partitë na konsiderojnë si një rrezik të madh, sepse ne e kemi mbështetjen e votuesve që nuk mund të blihen. Nëse partitë nuk do të mund të shantazhonin, frikësonin, punësonin, sa votues mendoni se do të kishin? Ndikimi dhe besimi ynë tek qytetarët në nivel lokal janë fakte që asnjë qeveri nuk mund t’i injorojë më. Ne do të shkojmë në zgjedhje pavarësisht përpjekjeve të dëshpëruara për monopol partiak mbi demokracinë. Maqedonia nuk është pronë private partiake e askujt”, thonë organizatat qytetare.

Presidentja e Maqedonisë së Veriut pritet që pas një muaji t’i shpallë zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti. Të qarta janë datat, por jo edhe rregullat sa i përket ndryshimeve të Kodit Zgjedhor për të cilat partitë politike janë bërë lëmsh sepse duhet të votohen me shumicë Badinteri. Propozim-ligjin e parë ua rrëzoi Gjykata Kushtetuese.

Aktualisht ndryshimet e Kodit Zgjedhor ndodhen në lexim të dytë në Kuvendin e RMV-së. Propozues është Partia Liberal Demokrate. Kryetarja e kësaj partie, Monika Zajkova, për Portalb-in tha shkurt se kanë kërkuar interpretim autentik të propozim-ligjit.

Iniciativa Më mirë për TetovënKodi ZgjedhorLista Zgjedhore RMVZgjedhje lokale RMV 2025