Presidentja Siljanovska u takua me përfaqësuesit e sektorit civil që kundërshtojnë ndryshimet e Kodit Zgjedhor

Sot në presidencën e Maqedonisë së Veriut u zhvillua takim ndërmjet presidentes Gordana Siljanovska dhe përfaqësuesve të sektorit civil që kanë për qëllim uljen e numrit të nënshkrimeve për të marrë pjesë si kandidat të pavarur në zgjedhjet lokale, transmeton Portalb.mk.

“Këshilltarët e pavarur besojnë se ndryshimet aktuale në Kodin Zgjedhor, që përcaktojnë detyrimin për të mbledhur më shumë se 1% të nënshkrimeve të elektoratit për dorëzimin e listave të kandidatëve të pavarur në disa komuna, i vendosin ata në një pozicion të pabarabartë në procesin zgjedhor”, njoftuan nga Presidenca.

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor u kundërshtuan nga kjo nismë qytetarë, duke i vlerësuar këto ndryshime edhe si jokushtetuese dhe diskriminimuese, ndërsa presidentja theksoi nevojën për gjithpërfshirje gjatë ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe zbatim të vendimeve të Kushtetueses.

“Ata presin nga deputetët një zgjidhje ligjore që do të marrë parasysh barazinë e garantuar kushtetuese të së drejtës pasive dhe aktive të votës së çdo qytetari, nxitje të pluralizmit politik dhe mundësi për zgjedhje të drejta dhe demokratike”, raportoi Presidenca.

Përfaqësues nga sektori civil përmes një reagimi publik më 19 qershor kanë shpreh qëndrimet kundër nismës për rritjen e numrit të nënshkrimeve për pjesëmarrjen e nismave qytetarë në zgjedhje.

Presidentja e Maqedonisë së Veriut pritet që pas një muaji t’i shpallë zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti. Të qarta janë datat, por jo edhe rregullat sa i përket ndryshimeve të Kodit Zgjedhor për të cilat partitë politike janë bërë lëmsh sepse duhet të votohen me shumicë Badinteri. Propozim-ligjin e parë ua rrëzoi Gjykata Kushtetuese.

Aktualisht ndryshimet e Kodit Zgjedhor ndodhen në lexim të dytë në Kuvendin e RMV-së. Propozues është Partia Liberal Demokrate. Kryetarja e kësaj partie, Monika Zajkova, për Portalb-in tha shkurt se kanë kërkuar interpretim autentik të propozim-ligjit.

Gordana Siljanovska DavkovaKodi ZgjedhorKomisioni Shtetëror i Zgjedhjeve RMV (KSHZ)OJQ CivilPresidenca e RMV-sëZgjedhje lokale RMV 2025Zgjedhje parlamentare/lokale