Nga një qytet i vogël si Gostivari, deri në zemër të industrisë globale të inteligjencës artificiale, kjo nuk është thjeshtë një histori suksesi, por një rrëfim për guximin për të dalë nga zona e rehatisë dhe për të ndërtuar veten në një botë që ndryshon çdo ditë. Në një epokë ku algoritmet po riformësojnë realitetin tonë, njerëzit që qëndrojnë pas tyre mbeten historia më e fuqishme. Nita Kaprolli është një nga ata zëra që e jeton këtë transformim nga brenda. Në një bisedë për Portalb.mk, ajo flet për rrugëtimin e saj, për revolucionin që po sjell inteligjenca artificiale dhe për sfidat që ende përballen, sidomos për gratë shqiptare që synojnë të hyjnë në këtë industri.
Portalb.mk: Nga Gostivari deri në Shtetet e Bashkuara, sa i vështirë ka qenë rrugëtimi juaj drejt majave të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale?
Nita Kaprolli: Të lësh shtëpinë, gjuhën dhe familjen për të ndërtuar një jetë të re në Shtetet e Bashkuara kërkon guxim dhe vendosmëri, por rrugëtimi ka qenë një që e kam shijuar thellësisht. Lëvizja në SHBA më hapi dyer të reja dhe qasje në shkolla dhe platforma të nivelit botëror, mundësi për të mësuar nga më të mirët dhe për të vënë në provë veten në një mjedis krejtësisht të ri. Kam qenë gjithmonë e hapur ndaj qasjeve të reja, duke ushqyer kuriozitetin tim me njohuri dhe duke sfiduar aftësitë e mia çdo ditë. Teknologjia dhe inteligjenca artificiale nuk ishin destinacioni im i parë, por kur i zbulova kuptova se ishte fusha ku pasioni im mund të shndërrohej në kontribut real.
Portalb.mk: Cilat janë sot zhvillimet më të rëndësishme në inteligjencën artificiale dhe automatizim që po e riformësojnë industrinë? Pse është e rëndësishme që publiku t’i kuptojë këto procese?
Nita Kaprolli: Sot po jetojmë një moment historik dhe do ta krahasoja me revolucionin e dytë të madh të njerëzimit, i ngjashëm me revolucionin industrial, por me një dimension krejtësisht të ri. Atëherë makineritë zëvendësuan fuqinë fizike të njeriut, ndërsa sot parimet matematikore, të kombinuara me sasinë e të dhënave dhe shpejtësinë e procesorëve modernë, po orkestrojnë diçka që duket si magji e pastër. Zhvillimet më të rëndësishme që po shoh çdo ditë në punën time janë automatizimi i proceseve komplekse, aftësia e AI për të mësuar nga të dhënat historike dhe për të parashikuar rezultate dhe integrimi i sistemeve të ndryshme në një rrjet të vetëm inteligjent. Por ajo që më emocionon më shumë është se ky transformim po ndryshon perspektivën që kemi mbi parimet themelore të punës dhe jetës. AI nuk po na zëvendëson, po na liron. Njerëzit tani mund të fokusohen në atë që e bën njeriun unik, në aftësitë kognitive, në gjykim, në kreativitet dhe në ndjeshmëri. AI është këtu për të qëndruar dhe ashtu si çdo gjë e re që ka hyrë në jetën tonë, zgjedhja është e jona, ta shohim si kërcënim ose ta përqafojmë si partner që na bën më të mirë çdo ditë.
Portalb.mk: Cilat mbeten sfidat kryesore për gratë shqiptare në teknologji? A janë më të theksuara barrierat sociale dhe kulturore, apo presioni për të ndjekur ritmin e një industrie që evoluon vazhdimisht?
Nita Kaprolli: Do të tingëlloja naive nëse do të thosha se gratë shqiptare nuk preken nga mendësia që shkencat ekzakte dhe teknologjia, STEM, nuk janë për to. Fatkeqësisht ky mentalitet ekziston dhe ndikon, qoftë në mënyrë të dukshme apo të heshtur. Por teknologjia po evoluon me një ritëm të tillë që sot kemi dy pengesa për të kapërcyer njëkohësisht, barrierën kulturore që ende na ndjek dhe presionin e një industrie që nuk pret askënd. Sfida ime më e madhe personale nuk ka qenë as njëra as tjetra, por ka qenë besimi në veten time dhe në Nitën e ditës së nesërme. Me vizion të qartë dhe vendosmëri, ky është çelësi për çdo grua në teknologji, pavarësisht gjinisë, prejardhjes apo barrierave. Nëse mungon modeli apo hapësira frymëzuese, krijoje. Nëse puna ime, sado e vogël qoftë, inspiron një vajzë që të ndjekë rrugën dhe të shohë se rruga realisht ekziston, me ose pa barriera, do të isha shumë e lumtur.
Portalb.mk: Çfarë përgjegjësie sjell puna në sektorë që ndikojnë drejtpërdrejt në transformimin digjital të kompanive dhe shoqërisë?
Nita Kaprolli: Kjo punë kërkon një angazhim të thellë dhe të vërtetë. Kërkon të kuptosh sjelljen njerëzore, të njohësh nevojat e njerëzve dhe të pranosh se intelekti njerëzor mbetet superior dhe i pazëvendësueshëm. Teknologjia është mjet, jo zëvendësues i gjykimit njerëzor. Kërkon gjithashtu të kuptosh fushëveprimin e plotë të proceseve dhe të krijosh një simbiozë midis teknologjisë dhe njeriut, ku të dyja forcojnë njëra-tjetrën. Por mbi të gjitha kërkon korrektesë etike, ndershmëri dhe mungesë të njëanshmërisë, sepse një sistem i ndërtuar me njëanshmëri prodhon vendime të padrejta dhe dëmton njerëzit që synon t’i ndihmojë.
Portalb.mk: Si po e ndryshon inteligjenca artificiale mënyrën se si punojmë dhe marrim vendime? A duhet të kemi më shumë debat publik për kufijtë dhe etikën e saj?
Nita Kaprolli: Inteligjenca artificiale po e ndryshon punën në mënyra që nuk i kemi parë më parë. Po eliminon punën repetitive, po përshpejton vendimmarrjen dhe po mundëson analiza që dikur kërkonin javë të tëra të kryhen në sekonda. Por me këtë fuqi vjen edhe një përgjegjësi e madhe. Vendimmarrja nuk mund t’i lihet plotësisht një algoritmi, sepse algoritmi nuk ka ndjeshmëri, nuk ka kontekst njerëzor dhe nuk mund të mbajë përgjegjësi morale. Për sa i përket debatit publik, jo vetëm që duhet të kemi më shumë, por është e domosdoshme.
Portalb.mk: Çfarë roli luan edukimi dhe qasja në mundësi në ndërtimin e një gjenerate të re profesionistësh në teknologji? A po bëhet mjaftueshëm në këtë drejtim në hapësirën shqiptare?
Nita Kaprolli: Edukimi është themeli, por edukimi i vërtetë sot nuk është vetëm diplomë, është qasje në mjete, në mentorë dhe në projekte reale. Teknologjia e ka bërë botën më të vogël dhe mundësia për të mësuar nuk kërkon më domosdoshmërisht burime të mëdha, kërkon kuriozitet, vendosmëri dhe guxim për të filluar. Hapësira shqiptare po bën hapa, por jo mjaftueshëm. Ndryshimi më i madh që mund të bëjmë është të ndryshojmë narrativën, të flasim me të rinjtë jo vetëm për diplomë por për impakt dhe kontribut. Çdo fëmijë në Gostivar, në Prishtinë, Manhattan apo në diasporë meriton të njëjtat mundësi.
Portalb.mk: Çfarë lloj mesazhesh dhe narrativash kanë më shumë ndikim te të rinjtë sot për t’i nxitur të besojnë në potencialin e tyre dhe të angazhohen në fusha si teknologjia?
Nita Kaprolli: Të rinjtë sot nuk kanë nevojë për fjalime, kanë nevojë për veprim. Mesazhi im është i thjeshtë: mos prit kushtet perfekte, fillo me atë që ke, aty ku je. Mos lejo që pasiguria të të ndalojë, mos u bëj vetë pengesa jote. Shkruaji dikujt që e ke idhull, guxo të pyesësh. Çfarë ke për të humbur kur e vetmja gjë që mund të fitosh është e ardhmja që e ëndërrove?