Viti 2023 ishte një vit turbulent, si zakonisht, me kriza që përsëriten dhe me dukuri negative që janë bërë traditë. Në vend të përshkimit të vitit, sivjet kemi vendosur një poezi nga Charles Bukowski, e cila shumë më mirë flet për gjendjen tonë ku jemi katandisur.
Në vitin e ri 2024, Ju urojmë shumë shëndet dhe suksese të reja nga redaksia e Portalb.mk!
Dinosauria…Ne!
Të lindur kështu
Mes këtyre
Ndërsa manikinët buzëqeshin
Ndërsa zonjusha Vdekje qesh
Ndërsa ashensorët prishen
Dhe kufinjtë politike bien
Ai çunin i supermarketit që fut gjërat në qese për ty ka një diplomë
Ndërsa peshqit e pistë nga nafta vjellin prenë e pistë
Dhe dielli është i maskuar
Ne jemi lindur kështu
Lindur mes këtyre
Mes luftërash të çmendura që ndodhin me kaq kujdes
Mes boshllëkut të fabrikave të rrënuara me dritare të thyera
Mes kafeneve ku njerëzit nuk flasin më me njëri tjetrin
Zënkat me grushta përfundojnë me thika e të shtëna armësh
Lindur mes këtyre
Mes spitaleve të shtrenjta ku të vdesësh kushton më lirë
Mes avokatësh që janë aq të shtrenjtë sa më mirë të deklarohesh i fajshëm
Në një shtet ku burgjet janë plot dhe psikiatritë janë të mbyllura
Mes masave që shndërrojnë budallenjtë në heronj të pasur
Të lindur mes kësaj
Ecën dhe jeton mes këtyre gjërave
Vdes për këtë shkak
Në heshtje
Të gjymtuar
Të korruptuar
Të lënë pa trashëgimi
Të budallepsur
Të përdorur nga kjo
Të mërzitur nga kjo gjë
Të bërë të çmendur dhe të sëmurë
Të bërë çnjerëzor
Nga kjo gjë
Zemra është bërë e zezë
Gishtat prekin fytin
Pistoletën, Thikën, Bombën
Duart i drejtohen një zoti që nuk përgjigjet
Gishtat duan të prekin shishen,
Ilaçet, Pluhurin
Lindur në këtë kohëvdekje të dhimbshme
Lindur me një shtet që ka mbledhur borxhe në 60 vjet
Dhe së shpejti s’do mund të paguajë as kamatat e borxheve
Bankat do të digjen
Paraja do të bëhet e pavlerë
Rrugëve vrasjet do bëhen zakon dhe nuk do ketë ndëshkim
Do ketë armë dhe grupe njerëzish të hutuar
Toka do jetë e pavlerë
Ushqimi do të pakësohet
Energjia bërthamore do bjerë në dorën e masave
Shpërthime të njëpasnjëshme do përshkojnë tokën
Njerëz radioaktiv do i ngrenë kurthe njëri tjetrit
Ndërsa të pasurit dhe të zgjedhurit vështrojnë nga platforma në hapsirë
Ferri i Dantes do të duket si park lojrash për fëmijë
Dielli nuk do duket, do jetë gjithmonë natë
Pemët do vdesin, Bimësia do vdesi
Njerëzit radioaktiv do hanë të gjallë njëri tjetrin
Deti do helmohet
Liqenet dhe lumenjtë do zhduken
Shiu do jetë floriri i ri
Në errësirë do përhapet erë e keqe kufomash njerëzish e kafshësh
Pak të mbijetuarit do preken nga sëmundje të reja e të fshehta
Platformat në hapsirë do përpihen nga prishja
Nga mbarimi i rezervave
Nga degjenerimi i përgjithshëm
Dhe do ketë një heshtje mahnitëse e pa dëgjuar ndonjëherë
Lindur nga kjo
Dhe dielli ende i fshehur diku atje
Duke pritur kapitullin tjetër .
Më poshtë, Suad Bajrami dhe ekipi i Portalb-it ka bërë një radhitje kronologjike të të gjitha ndodhive më të rëndësishme politiko-sociale në vend të radhitura sipas datave dhe muajve përkatës.
JANAR
10 janar
Aktakuzë për “mashtrim” kundër kardiokirurgut Zhan Mitrev dhe spitalit të tij privat në lidhje me trajtimin e pacientëve me COVID-19
U arrestua Dragan Daravelski, ish drejtori i Doganave i cili kërkohej mbi 15 vjet për ta mbajtur burgun prej 7 vjetësh. Por, më pas u lëshua pasi vepra i është vjetërsuar
Në procedurë jotransparente Sashko Georgiev u zgjodh kryetar i Këshillit Gjyqësor të RMV-së, sektori civil kërkoi dorëheqjen e të gjithë anëtarëve bashkë me kryetarin
Ministria e Shëndetësisë e prezantoi platformën “Shëndeti Im” – një aplikacion celular që u mundëson ë qytetarëve të kenë qasje në të dhënat personale shëndetësore
Aktgjykim për rastin e djegies së Spitalit Modular në Tetovë: Florin Besimi dhe Artan Etemi u dënuan me burg me kusht prej 1 vit e 6 muaj burgim, Boban Vuçevski u lirua nga akuza
Të akuzuarit në rastin “Softuerët” u shpallën fajtorë, dënime me burg deri në 8 vjet. Në mesin e të dënuarve edhe Dragi Rashkovski, ish sekretari i Qeverisë
Punëtorët e Higjienës Komunale në protestë pasi drejtoresha përjashtoi nga puna dhjetëra punëtorë dhe nuk ua përmirësoi kushtet. Drejtoresha me polici i nxori kamionët që ta pastrojnë qytetin e mbytur nga mbeturinat, pasi punëtorët refuzuan të pastrojnë
“Titanik 3”, funksionarët e BDI-së Ismet Guri dhe Ejup Alimi për të dytën herë u dënuan me nga tre vjet e gjysmë burg për asgjësimin e materialit zgjedhor
Kuvendi urgjentisht i miratoi ndryshimet skandaloze të Kodit Penal, me çka parashihet ulja e dënimeve për funksionarët. Reagime të ashpra nga ekspertët dhe qytetarët
U zgjodhën anëtarët e rinj të Komisionit Shtetëror për Mbrojtje nga Korrupsioni – Antikorrupsioni, ekspertët dhe shoqëria civile reaguan për ndikime politike
Dy vjet e gjashtë muaj burg për Muhamed Zekirin për rastin e shërbimeve konsulentë për Postat dhe Hekurudhat, buxhetit duhet t’i kthejë mbi 1.1 milion euro
14-vjeçarja e zhdukur Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçari Panço Zhezhovski janë vrarë, Prokuroria: Lupço Palevski organizator dhe kryerës i vrasjes në arrati, katër të arrestuar tjerë përfshirë dhe babain e vajzës
Në Shkup u mbajt konferenca e 19-të ndërkombëtare “eShoqëri.mk” me temë “Inteligjencës Artificiale dhe të Drejtave të Njeriut: Gjetja e ekuilibrit të duhur midis inovacionit dhe përgjegjësisë”
Kryeprokurori Lubomir Joveski e mbaroi mandatin dhe shkoi në pension, Këshilli i Prokurorëve nga 3 kandidatë vetëm Lupço Kocevskit ia pranoi kandidaturën