Nga afati gjashtëmujor te arsyetimet politike: Si u avullua premtimi i VLEN-it për ndryshimet kushtetuese?

Çështja e ndryshimeve kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilat janë kusht i vendosur nga Bashkimi Evropian për të përshpejtuar integrimin drejt BE-së, vazhdon të mbetet e pazgjidhur, pavarësisht se koalicioni qeverisës VLEN premtoi zgjidhje për gjashtë muaj dhe ka qenë në pushtet për gati dy vjet. Para se ty hyjë në Qeveri, VLEN kishte deklaruar se do t’i bënte ndryshimet kushtetuese brenda gjashtë muajsh nga marrja e pushtetit, duke i dhënë kështu një afat kohor procesit të ndryshimeve që kërkohen nga BE-ja. Megjithatë, afati kohor i premtuar ka kaluar prej shumë kohësh, dhe deri sot nuk ka miratim të plotë të ndryshimeve kushtetuese, por vetëm arsyetime për atë që nuk u arrit, raporton Portalb.mk

Një nga krerët e VLEN-it dhe kryetar i Tetovës, Bilall Kasami, tha se duke pasur parasysh se në Bullgari janë planifikuar zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare dhe funksionimin e një dege ekzekutive teknike, nuk ka me kë të diskutojë ndryshimet kushtetuese dhe vazhdimin e procesit të integrimit evropian, e as numrat në Kuvend nuk mund të sigurohen.

“Informatat që i kam, mbrëmë deri vonë Qeveria apo Komiteti për implementimin e Agjendës reformuese ka mbajtur takim dhe punohet intensivisht që të gjitha vërejtjet që kanë të bëjnë me procesin eurointegrues të përshpejtohen. Afatet kohore gjithmonë ekzistojnë, përderisa ka një marrëveshje të nënshkruar dhe obligime të marra. Ajo që është me rëndësi të potencohet, ky proces është i ndërvarur jo vetëm me zhvillimet në Shkup, por edhe në Bruksel e Sofje. E dimë që tani Sofja shkon në zgjedhje të parakohshme. Pra, çdo zgjidhje e këtij problemi, në vete ngërthen edhe një marrëveshje edhe me Sofjen se si më tutje procesi i integrimit, sepse procesi i ndryshimeve kushtetuese dhe futjes së komunitetit bullgar ka të bëjë drejtpërdrejtë me vazhdimin e procesit eurointegrues. Nëse ne nuk kemi ndonjë situatë më të qartë se do të vazhdojë me intensitet më të lartë ky proces, do të jetë më e vështirë që të gjenden numrat në Kuvend për t’u bërë ndryshimet kushtetuese”, tha Kasami.

Ndërkohë kryeministri Hristijan Mickoski më 5 shkurt, betonizoi edhe një herë qëndrimin e tij se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese. Edhe pse ai nuk e përmendi këtë drejtpërdrejtë, por para ambasadorëve tha se disa reforma nuk do të realizohen për shkaqe objektive.

T’i kthehemi VLEN-it dhe premtimit të tyre pompoz prej gjashtë muajsh. Ditë më par, Albi Qamili, nga VLEN i cili në zgjedhjet e fundit lokale ishte bartës i listës së këshilltarëve të koalicionit në Tetovë, në një paraqitje për TVM2 deklaroi se VLEN e ka të pamundur të kushtëzojë opozitën për ndryshimet kushtetuese, për shkak të rolit që, sipas tij, po luan BDI.

“Është e vështirë të kushtëzosh, kur kemi një opozitë shqiptare që i rri te dera pushtetit. Ju e dini shumë mirë që nëpër çdo studio televizive, çdo deklaratë publike, Ali Ahmeti po i kërkon takim tet-a-tet kryeministrit Mickoski. Ju e dini rastin ku BDI ka kërkuar të jetë pjesë e Qeverisë, të jetë pjesë e shumicës pa kryetar parlamenti, me më pak ministra se VLEN-i”, tha Qamili.

Ai shtoi se këto pretendime janë bërë publike edhe nga figura të tjera politike, përfshirë kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi, si dhe nga deputetë të partisë në pushtet, VMRO-DPMNE.

“Është rëndë, kushtimisht thënë, t’u hysh këtyre aventurave kur ke një opozitë shqiptare të pabesë”, deklaroi Qamili.

Ministri i Çështjeve Evropiane Bekim Sali nga ana tjetër, theksoi atë që VMRO e trumbeton prej se ka ardhur në pushtet: Garancia nga BE. Ai tha se partneri i tyre në Qeveri, VMRO-DPMEN, ka vullnet, por se duhet t’i jepet fund kushtëzimeve ndaj vendit.

“Nga partneri i koalicionit ka vullnet për ndryshimet kushtetuese, mirëpo ka një nevojë sqarim dhe garanci të tipit të përfundimit të kushtëzimeve ndaj shtetit lidhur me integrimin evropian. Gjithçka që thuhet jashta kësaj është është vetëm zgjerim i temës pa nevojë dhe oponionit i jep çorientim në pështjet elementare. Këtu mund ta them publikisht se përkrahja është maksimale nga të gjitha institucionet e Unionit Evropian për integrimin tonë të plotë në BE dhe ne si Ministri e Çështjeve Evropiane po punojmë intensivisht në Agjendën Reformuese, e pila ësht parimisht në interes të qytetarëve. Çdo ndryshim i ligjit është në interes të qytetarëve”, tha Sali.

VLEN, ndërkohë që sot flet për “pamundësi kushtëzimi” dhe për opozitë që sipas tyre “rri te dera e Qeverisë”, më herët kishte ndërtuar krejt narrativë tjetër për ndryshimet kushtetuese. Eksponentë të këtij koalicioni deklaronin se kishin vendosur afat gjashtëmujor për zgjidhjen e çështjes. Ata flisnin për “përgjegjësi politike”, për “qasje ndryshe nga e kaluara” dhe për faktin se ndryshimet kushtetuese nuk do të mbaheshin peng i kalkulimeve partiake. Sot, afër dy vjet pas ardhjes në pushtet, i njëjti koalicion arsyeton mungesën e rezultateve me sjelljen e BDI-së në opozitë dhe me raportet brenda shumicës, duke u distancuar nga afatet dhe qëndrimet që vetë i kishte shpallur publikisht. Nga një temë ku VLEN deklaronte se “do të tregojë se si bëhet politika ndryshe”, ndryshimet kushtetuese janë shndërruar në shembull të premtimeve që u relativizuan me kalimin e kohës.

Më tetor 2024, ish-ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezai tha se VLEN ka dhënë afat gjashtë mujor për ndryshime kushtetuese.

“Gjatë bisedimeve për formimin e qeverisë së re, ne si koalicion VLEN kemi dhënë një afat gjashtë mujor, brenda të cilit qeveria duhet të dalë me propozim konkret për zgjidhjen e problemit me ndryshimet kushtetuese. Aktualisht jemi në muajin e katërt, dhe pa skaduar ky afat nuk kemi pse e komentojmë. Kur të afrohemi nga fundi, atëherë do ta shohim se cilat do të jenë hapat e mëtutjeshëm”, kishte theksuar Murtezani.

Sot, kur afati gjashtë mujorë ka kaluar me kohë VLEN gjen arsyetime të reja. Murtezani me fjalorin e kryeministrit Hristijan Mickovski, më vonë tha se ndryshimet kushtetuese do të jenë para deputetëve në Kuvend, në momentin që do të sigurohen nga Bullgaria që nuk do të ketë kushte të reja.

Në thelb, ajo që ndodhi me premtimin gjashtëmujor të VLEN-it për ndryshimet kushtetuese ishte një zhvendosje graduale e qasjes politike, e diktuar nga realiteti i ri brenda shumicës qeverisëse dhe refuzimi i hapur i VMRO-DPMNE-së për të avancuar këtë proces. Nga një koalicion që para hyrjes në Qeveri fliste për afate të qarta, presion politik dhe përgjegjësi institucionale, VLEN kaloi në një diskurs më të butë, ku theksi u zhvendos nga “do t’i bëjmë ndryshimet” në “nuk ka kushte”, “nuk ka numra” dhe “nuk ka siguri nga Bullgaria”. Në vend që premtimi të shërbente si mjet për të kushtëzuar partnerin maqedonas në pushtet, ai u relativizua sapo u bë e qartë se VMRO-DPMNE nuk ka vullnet politik për ndryshime kushtetuese, ndërsa VLEN zgjodhi të ruajë stabilitetin e koalicionit qeverisës më shumë sesa të insistojë në një proces që vetë e kishte shpallur prioritet absolut.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë përfshirjen e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.

BullgariaEurointegrime Negociata RMV-BEHristijan Mickoski HristianMarrëveshja me BullgarinëNdryshime Kushtetuese RMVQeveria e Maqedonisë së VeriutVLEN koalicioni