Nesër pritet që Kuvendi ta zgjedhë Meri Dika Georgievskën, por zgjedhja e saj nuk e kompleton Gjykatën Kushtetuese

Edhe pse nesër pritet që Kuvendi ta zgjedhë kryetaren e Gjykatës së Apelit, Meri Dika Georgievska, si gjyqtare kushtetuese, për momentin askush nuk parashikon se kur Gjykata Kushtetuese do t’i shqyrtojë lëndët e ndjeshme, siç është Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, pasi ende pritet që Gjykata të plotësohet me përbërje të plotë. Edhe me zgjedhjen e Dika Georgievskës, Gjykata Kushtetuese do të mbetet me një gjyqtar më pak, pasi gjyqtari kushtetues Goce Naumovski dha dorëheqje pa paralajmërim dhe pa arsyetim, ndërsa Kuvendi e konstatoi dorëheqjen e tij, transmeton Portalb.mk.

Për momentin nuk ka paralajmërim se kur Kuvendi do ta nisë procedurën për zgjedhjen e anëtarit të nëntë të Gjykatës Kushtetuese, por është e sigurt se kjo nuk do të ndodhë para shtatorit, pasi deputetët gjatë muajit gusht janë në pushim.

Vendet e lira në Gjykatë dhe zvarritja e zgjedhjes së gjyqtarëve të rinj po e rihapin dilemën nëse mosplotësimi i Gjykatës Kushtetuese i shkon më së shumti për shtat politikës.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, për nesër e ka caktuar seancën e 97-të, në rendin e ditës të së cilës është zgjedhja e gjyqtares Dika Georgievska. Kryetarja e Gjykatës së Apelit është propozim i Këshillit Gjyqësor për gjyqtare kushtetuese nga radhët e gjyqtarëve. Edhe pse propozimi daton nga marsi i këtij viti, Kuvendi do të votojë për zgjedhjen e saj vetëm pas katër muajsh. Sipas komenteve nga pushteti, procedura është vonuar sepse Kuvendi nuk ka arritur të harmonizojë terminin me Këshillin Gjyqësor për praninë e përfaqësuesit të tij në seancë, pasi seancat e të dy institucioneve përkonin në të njëjtën kohë.

Por edhe nëse Dika Georgievska zgjidhet si gjyqtarja e re kushtetuese, Gjykata Kushtetuese do të duhet sërish të presë që të kompletohet plotësisht pas largimit të Naumovskit. Pikërisht për shkak të kësaj situate, brenda Gjykatës është krijuar dyshimi se politika qëllimisht nuk dëshiron që ajo të funksionojë me përbërje të plotë. Gjyqtarin e nëntë, i cili duhet ta zëvendësojë Naumovskin, duhet ta propozojë Kuvendi, përkatësisht shumica parlamentare, duke e lënë plotësimin e Gjykatës plotësisht në duart e deputetëve.

Një situatë e ngjashme kishte ndodhur edhe kur kryetare e Gjykatës Kushtetuese ishte Dobrilla Kacarska. Në atë kohë, Gjykata punonte në kufirin e kuorumit, pasi nga nëntë gjyqtarë sa duhet të kishte, funksiononte vetëm me pesë.

Meqenëse edhe përbërja aktuale e Gjykatës Kushtetuese ende nuk mund të plotësohet, disa ligje vazhdojnë të presin pa u shqyrtuar. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është lënda që pret më së gjati në Gjykatë – që nga viti 2018, pra tashmë tetë vjet.

Nga Gjykata bëjnë të ditur se në seancën e parë të shtatorit do të hidhen në votim të gjitha lëndët për të cilat ende nuk ka vendim, përveç atyre të ndjeshme. Bëhet fjalë për gjashtë ose shtatë lëndë, ndër të cilat edhe Kodi Zgjedhor në pjesën që ka të bëjë me reklamimin politik me pagesë. Për këto lëndë do të votohet sepse, nëse nesër zgjidhet Dika Georgievska, do të ndryshojë raporti i votave në Gjykatë.

Së fundmi, Gjykata Kushtetuese nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme për të vendosur nëse do të hapte procedurë sipas nismës së partive Levica dhe Demokratët, të cilat e kontestojnë kushtetutshmërinë e dispozitave të Kodit Zgjedhor që kanë të bëjnë me reklamimin politik me pagesë. Gjyqtari Osman Kadriu, si raportues i lëndës, propozoi hapjen e procedurës dhe shqyrtimin e këtyre dispozitave, por nuk arriti të sigurojë mbështetjen e pesë gjyqtarëve. Atëherë, nga Gjykata njoftuan se lënda mbetet e hapur dhe se për të do të votohet në një nga seancat e ardhshme.

Gjykata Kushtetuese RMVParlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së Veriut