Nesër nis pagesa e mjeteve për qytetarët pa kartela në filialin kryesor të ALTA Bankës në Manastir

Banka Popullore i njofton qytetarët që kanë llogari pagese në ALTA Banka SHA Manastir, por nuk kanë kartela bankare, se nga e enjtja, 5 nëntor 2026, do të fillojë tërheqja e mjeteve në sportelet e filialit kryesor të bankës në Manastir, transmeton Portalb.mk.

Për këtë qëllim, do të hapen disa sportele në adresën rr. “Dobrivoje Radosavleviq” nr. 21 në Manastir. Tërheqja e mjeteve do të jetë në dispozicion të qytetarëve, veçanërisht pensionistëve dhe përfituesve të ndihmës sociale, të cilët i marrin mjetet përmes llogarive të pagesës në këtë bankë, por nuk kanë kartela bankare.

Qytetarët do të mund të tërheqin deri në 20.000 denarë, që është shuma maksimale e lejuar për tërheqje gjatë një periudhe dyjavore.

Nga 6 nëntori, përfshirë edhe të shtunën, më 7 nëntor, filiali do të punojë në dy ndërrime, me qëllim që të shërbejë sa më shumë klientë.

Pagesa do të realizohet gjatë disa ditëve, sipas një orari për të cilin qytetarët do të njoftohen përmes SMS-mesazheve, ku do të përcaktohen dita dhe ora kur duhet të paraqiten në filial.

Qytetarëve u bëhet thirrje që t’u përmbahen termineve të caktuara dhe të mos paraqiten në filial në ditët kur nuk janë ftuar, si dhe para orarit të caktuar për ditën përkatëse, me qëllim që të shmangen turmat dhe pritjet e gjata.

Për ata që nuk do të kenë mundësi të paraqiten në terminin e caktuar, do të sigurohen termine shtesë.

Sporteleve do t’u lejohet të kryejnë vetëm tërheqje të parave të gatshme, ndërsa nuk do të realizohen lloje të tjera transaksionesh.

“Po punohet për përgatitjen e hapjes së sporteleve për pensionistët dhe përfituesit e ndihmës sociale edhe në qytete të tjera të vendit, për të cilën Banka Popullore do të njoftojë së shpejti”, thonë nga Banka Popullore.

Problemet me ALTA Bankën në Maqedoninë e Veriut pasuan zhvillimet në bankën e saj amë në Serbi, së cilës Banka Popullore e Serbisë ia revokoi licencën e punës. Më 1 nëntor, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut vendosi bankën në Manastir nën administrim të përkohshëm për tre muaj dhe caktoi tre administratorë për të shqyrtuar gjendjen financiare dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm. Ndërkohë, klientët u përballën me kufizime në tërheqjen dhe transferimin e parave, ndërsa degët u mbyllën përkohësisht.

Sipas Bankës Popullore, rreth 11.500 pensionistë i marrin pensionet përmes kësaj banke, prej të cilëve rreth 3.500 nuk kanë kartela bankare. Për këtë arsye, nga 5 nëntori është mundësuar tërheqja deri në 20.000 denarë në sportelin kryesor në Manastir. Administrimi i përkohshëm duhet të sqarojë gjendjen e bankës, ndërsa një nga mundësitë për zgjidhjen e situatës është gjetja e një investitori të ri.

Banka - BankëBanka Popullore e RMVSerbia