Nesër do të ketë bllokim të rrugëve në Shkup për shkak të protestës kundër ‘Usjes’

Nesër (31.01.2026), duke filluar nga ora 12:00, do të mbahet marsh protestues “Stop për Çimentoren Usje”, për të cilën më shumë bulevarde në qendër të qytetit do të jenë të bllokuara, transmeton Portalb.mk.

Marshi do fillojë para Qeverisë së RMV-së në bulevardin “Ilinden”, djathtas përgjatë bulevardit “VMRO”, duke vazhduar përgjatë rrugës “Vasill Gllavinov”, majtas përgjatë rrugës “Dimitrie Çupovski”, duke vazhduar përgjatë rrugës “11 Tetori” deri para Kuvendit të RMV-së dhe majtas përgjatë rrugës “Filipi II i Maqedonisë” deri para Ministrisë së Mjedisit Jetësor në Shkup.

“Për këto arsye, Njësiti për Siguri në Qarkullimin Rrugor në SPB Shkup do të marrë masa për regjim të posaçëm në zonën qendrore të qytetit të Shkupit”, thanë nga MPB-ja.

Nga MPB-ja u bënë thirrje të gjithë qytetarëve pjesëmarrës në trafik të respektojnë urdhrat e dhëna të nëpunësve policorë.

Deri tani për shkak të ndotjes së ajrit, janë mbajtur dy protesta para fabrikës së çimentos “Titan Usje”, ku qindra qytetarë dolën për të kërkuar ndalimin e ndotjes së vazhdueshme ajrore.

Iniciativa deri tani ka dërguar kërkesa te disa institucione, të cilat i ka publikuar edhe në mënyrë të hapur.

Kërkesat kanë qenë të fokusuara te monitorimi i vazhdueshëm dhe transparent i ndotjes, dënime të rrepta dhe ndalim i aktivitetit kur tejkalohen kufijtë, përputhje me standardet e OBSH-së, kalim te energjitë më të pastra dhe heqja e pengesave ligjore që kufizojnë qasjen e publikut, me qëllim kontroll të plotë dhe reduktim të ndotjes industriale.

Para disa ditësh, nga kompania “TITAN Usje” përsëritën se emetimet nga veprimtaria e tyre janë vazhdimisht nën vlerat kufitare të përcaktuara me ligj dhe se që nga viti 2007 ato monitorohen 24 orë.

“Kompania nuk ka mundësi të ndikojë në asnjë mënyrë mbi rezultatet. Procesi teknologjik e pamundëson funksionimin e repartit pa funksionimin e filtrave”, thanë nga TITAN Usje.

Kujtojmë se pas një sërë protestash dhe kërkesash nga iniciativat qytetare për ajër të pastër, Qyteti i Shkupit ka pranuar iniciativën për zhvendosjen e fabrikës së çimentos Usje jashtë qytetit. Tani Qeveria duhet të shqyrtojë mënyrën për të filluar procedurë për zhvendosjen e Usje dhe të gjithë ndotësve të mëdhenj industrialë në vende të përshtatshme jashtë luginës së Shkupit.

Ndryshe, Shkupi vazhdon të mbetet me ajër shumë të ndotur, shpesh duke kryesuar listat e qyteteve më të ndotura.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB)ProtestaUSJE