Nxënësit në Kumanovë me diskutim të hapur për problemet kryesore me të cilat përballen

Në ambientet e Shkollës së Mesme Teknike “Nace Bugjoni” në Kumanovë, me qëllim që zëri i të rinjve të zërë më shumë vend në hapësirën mediatike, të martën më 29 shtator, gazetarët e Portalb.mk mbajtën një diskutim të hapur me të rinjtë për problemet të cilat i shqetësojnë ata.

Në fillim kryeredaktorja e Portalb.mk, Elida Zylbeari, zhvilloi një  ligjëratë interaktive me nxënësit e drejtimeve të ndryshme të shkollës, duke u fokusuar te gazetaria konstruktive si mjeti thelbësor për të ardhmen e medias në Maqedoninë e Veriut dhe në Ballkan. Gjatë këtij takimi, ajo theksoi se po përballemi me krizë besimi ndaj mediave ku të rinjtë po distancohet nga konsumimi i lajmeve për shkak të përmbajtjeve gazetareske që nuk janë kualitative dhe janë senzacionaliste.  

Ajo ua shpjegoi nxënësve se gazetaria konstruktive është gazetari kritike, objektive dhe e balancuar që fokusohet te zgjidhjet, jo vetëm te problemet, duke iu përgjigjur tri pyetjeve bazë: çfarë, pse dhe tani çfarë? Duke sqaruar mitet që rrethojnë këtë fushë, ajo nënvizoi se kjo formë raportimi nuk është të publikosh “lajme pozitive” pa substancë, as propagandë apo PR (marketing) për institucionet, as naive dhe as aktivizëm politik.  

Në një format të hapur “open-mic”, nxënësit folën drejtpërdrejt për sfidat që i prekin çdo ditë, duke identifikuar një sërë problemesh që, sipas tyre, vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura.

Elida Zylbeari. Takimi me nxënësit në SHMTK Nace Bugjoni. Foto: Portalb.mk

Një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga nxënësit mbetet mungesa kronike e teksteve shkollore, posaçërisht e atyre në gjuhën shqipe dhe për lëndët profesionale teknike. Nxënësit theksuan se janë të detyruar të mësojnë me ligjërata të shkruara me dorë, materiale të fotokopjuara me shpenzimet e tyre ose nga botime të vjetruara prej dekadash që nuk përkojnë me kurrikulat e sotme. Pavarësisht premtimeve të vazhdueshme të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, viti shkollor vijon t’i gjejë bankat pa librat e duhur bazë, gjë që vështirëson ndjeshëm përvetësimin e njohurive dhe përgatitjen e tyre profesionale.

Krahas materialeve mësimore, nxënësit u ndalën te kushtet e rënda hapësinore dhe infrastruktura e degraduar arsimore në shkollat e mesme të qytetit. Problem i veçantë mbetet funksionimi me ndërrime të stërzgjatura dhe orare të shkurtuara, si pasojë e mosrealizimit të premtimit shumëvjeçar për ndarjen fizike të nxënësve shqiptarë dhe maqedonas në objekte të posaçme shkollore. Nxënësit e drejtimeve teknike shprehën indinjatë edhe për mungesën e kabineteve të pajisura bashkëkohore dhe laboratorëve funksionalë për realizimin e praktikës profesionale, gjë që i lë ata me njohuri kryesisht teorike.

Shqetësim tjetër për të rinjtë e Kumanovës është organizimi i transportit publik dhe ai shkollor, i cili rëndohet nga vonesat e linjave, mungesa e sigurisë dhe problemet me mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit nga ana e pushtetit lokal. Shumë nxënës që vijnë nga vendbanimet rurale përballen me vështirësi për të arritur në kohë në mësim ose detyrohen të udhëtojnë në kushte të papërshtatshme, derisa zvarritja e tenderëve komunalë për transportin shpesh ka rrezikuar ndërprerjen e këtij shërbimi bazë.

Në fund, nxënësit theksuan se cilësia e jetës së tyre përkeqësohet nga mungesa e hapësirave kulturore dhe sportive, si dhe nga degradimi i përgjithshëm mjedisor në Kumanovë. Të rinjtë theksuan se nuk kanë qendra rinore funksionale, kinema apo terrene sportive të hapura ku mund të zhvillojnë talentet e tyre, ndërkohë që qyteti vuan nga ndotja e lartë e ajrit gjatë dimrit, mungesa e pastërtisë publike dhe prania e deponive të egra në afërsi të zonave urbane, duke kërkuar llogaridhënie të menjëhershme nga Komuna e Kumanovës dhe institucionet qendrore.

 

Aktiviteti u realizua në kuadër të projektit “The Local Youth Lens”, i zbatuar nga “Mediat Inovative – Shkup”, mbështetet përmes programit të gjerë “MedIA-Lit”, i udhëhequr nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO/CCE) në partneritet me Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHRS), Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoninë e Veriut (MHC), Qendrën e Tiranës për Ekselencë në Gazetari (TCJE) nga Shqipëria dhe Iniciativën Atlantike (AI) nga Bosnja dhe Hercegovina, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe bashkëfinancimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal-Investimeve dhe Bashkëpunimit me OJQ-të të Qeverisë së Malit të Zi.

Elida ZylbeariKumanovaNxënës të shkollave të mesmeShoqata për Avancimin e Praktikave Gazetareske “Mediat Inovative – Shkup”Të rinj - Rini - Rinia