Nesër dhe pasnesër në Tetovë do të mbahet Konferenca e OSBE-së për barazinë gjinore

Ministria për Punë të Jashtme në Maqedoninë e Veriut ka paralajmëruar që dy ditët e ardhshme do të mbahet konferenca për barazi gjinore në qytetin e Tetovës. Kjo konferencë vlerësohet si vazhdimësi e konferencës së vitit 2021 “Gratë në Politikën e Jashtme”, transmeton Portalb.mk.

“Më 5 dhe 6 shtator 2023, në Tetovë, në kuadër të kryesimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në, do të mbahet Konferenca e parë e OSBE-së për barazinë gjinore dhe fuqizimin e rolit të grave, nën udhëheqjen dhe iniciativën tonë si kryesues”, njoftoi Ministria.

Në orën 16:15 është paralajmëruar edhe konferencë për media nga Kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani, dhe Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së, Helga Shmid.

“Ngjarja dyditore parasheh tre sesione pune dhe katër panele shoqëruese ku përfaqësues zyrtarë të qeverisë, përfaqësues zyrtarë në kuadër të OSBE-së, profesorë të shquar, studiues dhe ekspertë të fushës do të shkëmbejnë mendime për tema veçanërisht të rëndësishme si gratë, paqja dhe siguria: fuqizimi i pjesëmarrjes dhe lidershipit të grave; lidhja ndërmjet gjinisë dhe korrupsionit dhe zbutja e efekteve të korrupsionit te gratë; barazia gjinore në jetën politike, praktikat e suksesshme nga terreni për çështjet gjinore, ku një kontribut të madh kanë misionet e OSBE-së, etj”, raportoi Ministria.

Barazi gjinoreDhuna ndaj grave
Comments (1)
Add Comment