Duke filluar nga sonte në mesnatë, çmimet e benzinës do të rriten me 2.5 denarë, ndërsa çmimi i naftës do të rritet me dy denarë për litër, vendosi sot Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE). Vendimi rrit çmimet me pakicë të derivateve të naftës me një mesatare prej 3.47 përqind, transmeton Portalb.mk.
Çmimi i ri maksimal me pakicë i EUROSUPER BS – 95 është 85 denarë për litër, EUROSUPER BS – 98 do të shitet për 87, EURODIZEL BS (D-E V) për 93.5, dhe Vajit Ekstra të Lehtë për amvisëri (EL-1) për 98.5 denarë për litër. Me vendimin e KRRE-së, çmimi me pakicë i mazutit M-1 NS do të rritet gjithashtu me 3.064 denarë për kilogram dhe do të arrijë në 49.720 denarë.
KRRE thekson se çmimet referuese për të gjitha derivatet e naftës në tregun botëror janë rritur në krahasim me llogaritjen e mëparshme, ku benzina është rritur mesatarisht me 5.324 përqind, dizelin me 2.817 përqind, vajin ekstra i lehtë me 3.394 përqind dhemazuti me 8.305 përqind. Kursi i këmbimit të denarit kundrejt dollarit, me të cilin u formuan çmimet në llogaritjen e mëparshme, është më i lartë për 0.3444 përqind.
Ata kujtojnë se kjo llogaritje merr parasysh shumën e reduktuar të akcizës me 4 denarë për litër për EURODIZEL (D-E V) dhe shumën e reduktuar të akcizës me 2 denarë për litër për benzinat EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98, si dhe shumën e reduktuar të TVSH-së për derivatet e naftës EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 në shumën prej 10 përqind, me përjashtim të fraksioneve të dizelit dhe mazutit.
Në shumicën e pikave të karburantit në vend, nafta shitet për tre denarë, ndërsa benzina për dy denarë më lirë se çmimi maksimal me pakicë i përcaktuar nga KRRE.