Po sigurohen lokacioni dhe modeli financiar për projektin që do të shërbejë si bazë për renë qeveritare (government cloud), sigurinë kibernetike dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale, deklaroi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, gjatë një paraqitjeje në RTVM2, transmeton Portalb.mk.
Sipas tij, tashmë është përgatitur edhe studimi i fizibilitetit, ndërsa theksoi se nuk bëhet fjalë vetëm për një objekt ku do të vendosen serverët, por për një infrastrukturë kyçe shtetërore mbi të cilën do të mbështetet zhvillimi digjital i vendit.
“Nëse rrugët i lidhin qytetet, qendra e të dhënave i lidh institucionet. Në vend që çdo institucion të ketë hapësirat e veta për serverë me nivele të ndryshme sigurie, shteti do të ketë një vend të vetëm modern, me nivel të lartë mbrojtjeje dhe efikasitet energjetik, prej nga do të ofrohen shërbimet digjitale për 20-30 vitet e ardhshme”, tha Andonovski.
Më herët, edhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, deklaroi se me zgjidhjet e reja ligjore për planifikimin urbanistik dhe ndërtimin është tejkaluar boshllëku ligjor dhe është krijuar korniza për ndërtimin e qendrave të të dhënave në vend.
Edhe pse ende nuk ka iniciativa konkrete nga sektori privat, sipas tij po shqyrtohet seriozisht ndërtimi i një qendre shtetërore të të dhënave, me qëllim mbrojtjen e institucioneve dhe rritjen e sigurisë kibernetike.