Në Dibër po vazhdon edicioni i 25-të jubilar i Festivalit “Teatri Shqiptar në Maqedoni”, i cili nga 23 shtatori ka sjellë para publikut shfaqje nga teatro të vendit dhe rajonit, shkruan Portalb.mk.
Festivali u hap më 23 shtator me shfaqjen “Shtëpia pa dritare” të Teatrit të Tetovës, me autor dhe regjisor Saimir Gongo. Një ditë më vonë u prezantuan “Pirati i Kohës” nga Teatri Shqiptar për Fëmijë dhe të Rinj në Shkup dhe “Duke pritur Godonë” e Samuel Beckett nga Teatri i Kumanovës.
Më 25 shtator publiku ndoqi “Deutsch B2” të Teatrit të Hapur “New Clap” nga Shkupi, si dhe “Zotëriu i parë” të Teatrit Shqiptar të Shkupit. Më 26 shtator u prezantua shfaqja “Vetmi në Perëndim” nga Shtëpia e Kulturës “Abdulla Krashnica”, Teatri i Qytetit të Preshevës, ndërsa mbrëmë, më 27 shtator, në skenë ishte teatri “Petro Marko” nga Vlora me shfaqjen “Plaçka” të Joe Orton.
Sonte, më 28 shtator, në orën 19:30, para publikut dibran do të prezantohet Teatri i Gostivarit me shfaqjen “Njeriu që pa vdekjen me sy”, me regji të Elmir Sejfullait.
Festivali do të përmbyllet nesër, më 29 shtator. Në orën 19:30, Qendra për Kulturë-Dibër do të prezantojë shfaqjen “Psikoza”, sipas motiveve të Sarah Kane, me përshtatje dhe regji të Besfort Idrizit. Në orën 21:00 do të bëhet ndarja e çmimeve dhe mbyllja zyrtare e edicionit të 25-të.
Edicioni i 25-të shënon një çerek shekulli të Festivalit “Teatri Shqiptar në Maqedoni”, i cili ndër vite ka sjellë në Dibër trupa, aktorë dhe regjisorë të shumtë dhe ka krijuar një hapësirë të përbashkët për prezantimin dhe promovimin e krijimtarisë teatrore shqiptare.