Në bibliotekë ka edhe art jo vetëm lexim, në Galerinë e Arteve në Tetovë u shfaqën pikturat e nxënësve

Biblioteka nuk shërben vetëm për lexim por edhe për krijime të tjera artistike. Për herë të tretë këtë përmes një ekspozite në Galerinë e Arteve të Tetovës e vërtetuan nxënësit e shkollave të mesme, studentët, staf administrativ dhe profesorët të cilët shfaqën krijimet e tyre, raporton Portalb.mk. 

Të gjithë këto krijime u realizuan si pjesë e projektit “Arti në Bibliotekë 2” në bibliotekën “Max Van der Stoel” të Universitetit të Evropës Juglindore, i cili realizohet për të tretin vit radhazi, ku pjesëmarrësit kanë ndjekur kurs për pikturim. 

Pikturat e shfaqura mbrëmë ishin piktura të fillestarëve dhe jo të profesionistëve, por siç thotë drejtoresha e bibliotekës “Max Van der Stoel” Elmedina Abdullai, kjo tregon se të rinjtë kanë talent dhe përmes këtij aktiviteti ata mund ta shfaqin të njëjtin para publikut. 

“Janë vepra të bëra me shumë përkushtim dhe dashuri që tregon se në fakt kemi shumë fëmijë që kanë talent dhe që nuk kanë pasur rastin ta shprehin talentin e tyre. ”, tha Elmedina Abdullai. 

Elmedina Abdullai. Foto: Portalb.mk

Në ndërkohë me pllaka të ricikluara është punuar edhe mozaiku i pikturës “Sofra” për të cilin vetë autori i pikturës Nehat Beqiri ua ka dhënë të drejtën autoriale që ta realizojnë të njëjtën në mozaik. 

“E ka emrin “Friends”, në fakt është piktura “Sofra” e cila është realizuar si mozaik. Gjendet në hapësirat e Universitetit të Evropës Juglindore”, tha Elmedina Abdullai

Autori i veprës që tani më është shndërruar edhe në mozaik, Nehat Beqiri theksoi se përzgjedhja e punës së tij për tu bërë mozaik është një pikturë që i bashkon njerëzit dhe është adekuate për pozitën ku është bërë, ku siç tha “është si park i hapur apo vend-takim i hapur i studentëve gjatë pushimit”.

Ai tha se nëse të rinjtë kanë vullnet, ata mund të ndjekin rrugën e artit. 

“Çdo gjë nisë nga vullneti, ushqehet me pasion dhe normal dituria. Pa pasion nuk bëhet asnjë punë, kjo është vetëm një pikënisje për ta ndjekur rrugën e pikturës apo zhandreve të tjera të artit”, tha Nehat Beqiri. 

Nehat Beqiri. Foto: Portalb.mk

Nga ana tjetër, profesori i artit figurativ në Gjimnazin e Tetovës “Kirili Pejçinoviq” Enver Selimi theksoi se nëse merret parasysh moshën e të rinjve që kanë krijuar pikturat, sipas tij ka brum për artistë të ardhshëm. 

“Është për tu përshëndetur ky projekt sepse është një motivim për këta artistët e rinj të ardhshëm”, tha Enver Selimi.

Enver Selimi. Foto: Portalb.mk

Që interesi i të rinjve është i lartë për artin dhe pikturën, Elmedina Abdullai e arsyeton me atë se nxënësit vazhdimisht kërkojnë që të ketë projekte dhe nisma të tilla për shkak të mungesës së të aktiviteteve kulturore në qytet. 

Projekti “Arti në Bibliotekë 2” u financua nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me bibliotekën “Max Van der Stoel” të Universitetit të Evropës Juglindore

EkspozitëMinistria e Kulturës dhe Turizmit (MKT)StudentëTë rinj - Rini - RiniaUniversiteti i Evropës Juglindore (UEJL)