Ndikimi i medieve në kohë të liga

Që nga botimi i gazetës së parë në Strasburg, që thuhet se ndodhi në vitin 1605, jeta njerëzore ndryshoi dukshëm. Ndër temat e para që nisën të trajtohen ishin edhe ato politike, sepse ashtu urdhëronte parësia. Me kalimin e kohës, në sajë të zhvillimit të teknologjisë, mediet shtrinë ndikimin në çdo pore të jetës dhe, aq sa i shërbyen përparimit të njerëzimit, po aq edhe e dëmtuan, veçmas në kohëra të liga, kur forcat hegjemoniste nisën t’i keqpërdorin si mjete lufte hibride, siç ngjet aktualisht anembanë botës. Në këso situatash gazetaria është përdorur dhe vazhdon të përdoret si vegël në duart e të fortit, që  justifikon nënshtrimin e më të dobtit, satanizimin e përditshëm dhe vënien e tij në gjendje varësie.

Raste të këtilla pati edhe në konfliktet që ndodhën ndërmjet popujve të ish Jugosllavisë, kur pothuajse të gjithë gazetarët mbajtën anën e etnive të tyre, duke raportuar rrejshëm dhe joprofesionalisht, pavarësisht ngjarjeve që ndodhnin në të vërtetë. Kjo u vërtetua në mars të vitit 2002, kur në organizim të revistës BREZI 9, u mbajt në Tetovë Konferenca me temën bosht: “Roli i medieve gjatë kohës së luftës në Maqedoni”, në të cilën morrën pjesë përfaqësues të medieve shqipe e maqedonase, intelektualë dhe personalitete të shquara nga sfera e politikës, artit dhe kulturës, që e pranuan se shumica e gazetarëve informuan njëanshëm dhe u orientuan më shumë kah mbjellja e urrejtjes se sa kah ndërprerja dhe zgjidhja e drejtë dhe paqësore e konfliktit.

Për të ilustruar të sipërthënën, po sjellim në vijim, pa koment, pikëpamjet diametralisht të kundërta të dy gazetarëve të njohur me përkatësi të ndyshme etnike (njëri maqedonas dhe tjetri shqiptar), pa përmendur pas 23 vitesh emrat e tyre.

Sipas gazetarit maqedonas: “Akuzat e medieve për nxitjen e konfliktit të armatosur s’kanë të bëjnë fare me realitetin, sepse gazetarët as e nisën luftën as mundën të ndikojnë tek njerëzit që ta ndalin atë. Ata, thjeshtë, informuan për gjithë atë që ndodhi në Maqedoni, e këtu, siç e dini patëm luftë që u zhvillua mes terroristëve shqiptarë dhe forcave të armatosura të Maqedonisë. Ju mund të thoni çfarë të doni, po unë qëndroj në atë se fjala ishte për terroristë dhe për asgjë tjetër. Këtu disa gazetarë shqiptarë akuzojnë mediet maqedonase, veçmas atë që drejtoj unë se gjoja ka nxitur luftën dhe se gjoja nuk ka informuar drejtë mbi ngjarjet e luftës. Absurditete! Mediet maqedonase kanë një përparësi ndaj atyre shqiptare. Ato u kundërvihen bosëve të politikës maqedonase dhe nuk e kursejnë asnjërin prej tyre, duke filluar nga Kryetari i shtetit, kryeministri e deri tek pushtetarët më të imtë të shtetit. Sa e bëjnë këtë shqiptarët në mediat e tyre? Mendoj se ata flasin e shkruajnë pak për gabimet dhe lëshimet e medieve në gjuhën shqipe.

Unë akuzohem edhe për atë se nuk u pajtova me rezultatet e Marrëveshjes Korrnizë të Ohrit. Po ju them se me atë nuk mund të pajtohem edhe sot. Ajo Marrëveshje erdhi si rezultat i një dhune të ushtruar nga brenda dhe nga jashtë dhe na u imponua me forcë. Sa më takon mua unë e pranoj faktin se këtu u bë luftë, të cilën shteti maqedonas, përkatësisht forcat ushtarake e policore, e humbën. Këtu nuk ka hidhërim. Po nuk mund të pritet që dikush tani të pajtohet me vendimet e dhunshme”.

Ky mospajtim i gazetarit me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, që ndërpreu konfliktin e armatosur dhe shpëtoi vendin nga një luftë me përmasa më tragjike, nuk u prit mirë nga gazetarët shqiptarë, të cilët mohuan thëniet e kolegut maqedonas.

Ja përgjigja e njërit prej tyre:

“Në një takim të këtillë nuk mund të shërohet e tërë ajo plagë që u hap gjatë kësaj kohe, por nuk është keq që së paku të dalin në shesh disa elemente të cilat gjatë krizës u prezantuan në masmediat në vend, duke lënë vragë dhe nxjerrë në shesh të dhënën se në Maqedoni ende nuk ka depërtuar fryma e pasqyrimit në mënyrë reale të asaj që ndodhi në të vërtetë. Po jua rikujtoj rastin e televizionit A-1, që, kur mori guximin dhe vizitoi fshatin Tanushë, të harruar jo vetëm nga pushteti, por edhe nga Zoti, zbuloi disa persona me uniformë të zezë. Mu atë ditë forcat e sigurimit shtetëror vranë Muzafer Xhaferin, por këtë se pa kush. Terr informativ për rastin. Katër ditë të plota nuk u njoftua zyrtarisht se i riu u vra duke punuar në arën e tij.

Komentet e para folën për kriminelë dhe kontrabandistë, të cilët merren me tregëti të zezë në relacionin Maqedoni – Kosovë. Dhe sikur gjithçka u mjaftua me kaq. U harrua se pakënaqësia e shprehur në fshatin matanë maleve rrënjët i kishte mu në zemër të Shkupit, në Qeveri e Parlament, aty ku zgjidhja e problemeve shqiptare po zhagitej me vite të tëra. Këtu edhe filloi rruga e ndarjes së medieve në baza etnike. Në mesmediet maqedonase me vrazhdësinë më të madhe sulmoheshin “terroristët” të cilët, sipas tyre, dëshironin shkatërrimin e Maqedonisë dhe nuk luftonin për të drejtat e njeriut, ndërsa në mjedisin e medieve shqiptare erdhi në shprehje hutia dhe pritej se çka do të deklarojnë politikanët. Konfuzioni medial vazhdoi gjersa shpërtheu konflikti i armatosur.

 Në redaksinë e emisioneve në gjuhën shqipe nuk u dha informacioni për vrasjen e policëve në afërsi të fshatit Sellcë apo Vicë. Ndërkaq drejtoria e televizionit maqedonas, në mënyrë arbitrare ndaloi emetimin e lajmeve në gjuhën shqipe. Gazetarët, apo shtëpitë informative në gjuhën maqedonase, filluan garën se kush do të jetë më i zëshëm në sulmet kundër UÇK-së, kurse gazetarët shqiptarë se kush do të jetë më i zëshëm në mbrojtje të UÇK-së, duke harruar kësisoj të dy palët detyrën e shenjtë për informim real të tërë asaj që ndodhte në terren. Asnjë medie në gjuhën maqedone, nuk njoftoi se në fshatin Poroj të Tetovës dhe në fshatin Sllupçan të Kumanovës u vranë nga granatimet edhe fëmijë, gra dhe pleq, të cilët nuk ishin të regrutuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ndërkaq mediet shqipe nuk njoftuan në mënyrë reale për pozitën e maqedonasve në mjediset ku ata janë pakicë.

Televizioni shtetëror, i cili ka obligim juridik dhe është servis i qytetarëve, u bë shembull tipik i një ndarjeje të këtillë. Shkelja flagrante e të drejtës për informim në televizionin maqedonas ndodhi edhe pas vrasjes në lagjen Gazi Babë të pesë pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Në vendin e ngjarjes gjendej edhe ekipi i Redaksisë së emisioneve në gjuhën shqipe, kundër së cilës drejtoria mori masa dhe e ndërpreu programin për 23 ditë. Dhe sërish mediet maqedonase nuk e thanë asnjë fjalë.

Kështu, mediet harruan realitetin dhe përditshmërinë e qytetarit të thjeshtë. Harruan trajtimin e temave akute në sferën e punësimit, politikës sociale, shëndetësisë, arsimit, e të mos flasim për ndonjë zhvillim kulturor në vend. Me vetëdije apo pa të, u vunë në shërbim të politikanëve dhe jo të qytetarve. Është fakt se gazetaria e këtillë nuk ka perspektivë. Rrugëdalje duhet kërkuar në profesionalizëm, për të cilin po flitet çdo ditë e më pak, aq më keq kur një dukuri e këtillë nuk i brengos gazetarët si bartësit kryesor të kësaj lëmie të rëndësishme shoqërore”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Fatmir SulejmaniKolumnat e Portalbit