Ndërroi jetë aktori i mirënjohur Mejdi Alidemi

Ka ndërruar jetë aktori i njohur i Teatrit Shqiptar, Mejdi Alidemi, një prej figurave më të dashura dhe më të respektuara të artit skenik në Maqedoninë e Veriut. Për dekada me radhë, Alidemi ishte një nga shtyllat e Teatrit Shqiptar, duke interpretuar me mjeshtëri dhjetëra role që lanë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e publikut. Me një prani të fortë skenike, zë karakteristik dhe ndjeshmëri artistike të rrallë, ai u bë simbol i përkushtimit dhe dashurisë ndaj teatrit, shkruan Portalb.mk.

Alidemi i dha skenës dhe ekranit shqiptar një pasuri të rrallë emocionesh, karakteresh dhe interpretimesh të paharrueshme. Ai ishte një artist i plotë aktor, regjisor dhe krijues me shpirt të thellë artistik që gjithmonë e shihte teatrin si mision shpirtëror.

Teatri Shqiptar në Shkup shprehu ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të aktorit Mejdi Alidemi.

“Një figurë e respektuar e Teatrit Shqiptar, që për dekada me radhë i dha skenës dhe ekranit shqiptar një pasuri të rrallë emocionesh, karakteresh dhe kujtimesh të paharrueshme. Mejdi Alidemi nuk ishte vetëm aktor ai ishte krijues i plotë, që e preku edhe regjinë me ndjeshmëri e vizion. Deri në ditët e fundita nuk pushoi duke ushqyer dashurinë për teatrin te të rinjtë përmes projekteve të shumta. Energjia, fisnikëria dhe përkushtimi i tij ndaj artit do të mbeten shembull frymëzimi për brezat që vijnë. Skena shqiptare humbi një artist të madh, por kujtimi dhe vepra jote do të jetojnë përherë në zemrat tona”, shkruhet në telegramin e shënuar në Facebookun e Teatrit Shqiptar në Shkup.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot më 20 tetor, pas ceremonisë fetare, në orën 13:00, në varrezat e Butelit.

Kultura shqiptareKulturë lajmeTeatri Shqiptar Shkup