“AJO” u rikthye, në fokus (pa) siguria digjitale e grave dhe rreziqet (Video)

Siguria në internet, përballja me rreziqet në hapësirën digjitale dhe mundësitë për pjesëmarrje më aktive të vajzave dhe grave në jetën publike ishin temat kryesore të aktivitetit “Digital Safe Girls Day 2026”, që u mbajt sot në Shkup, në organizim të Shoqatës “AJO”. Aktiviteti vuri në vëmendje nevojën për ndërgjegjësim dhe mbrojtje më të madhe në mjedisin online, si dhe për krijimin e hapësirave ku vajzat dhe gratë mund të shprehin lirshëm shqetësimet e tyre dhe të ndikojnë në vendimet që prekin jetën e tyre, shkruan Portalb.mk.

Kryetarja e Shoqatës AJO, Nora Kaliqi, deklaroi për Portalb.mk se aktiviteti shënon rikthimin e shoqatës me nisma për fuqizimin e vajzave dhe grave, duke nisur nga sfidat me të cilat përballen në mjedisin digjital.

“Kjo ngjarje shënon një rikthim të fuqishëm të shoqatës sonë, e cila synon fuqizimin e vajzave dhe grave, përfshirë edhe në hapësirën digjitale. Me zhvillimin e teknologjisë, një pjesë e madhe e aktiviteteve dhe e komunikimit është zhvendosur në këtë hapësirë. Nisma filloi nga Komuna e Çairit dhe synohet të shtrihet edhe në komuna të tjera. Krahas ndërgjegjësimit për sigurinë digjitale, ajo ka për qëllim të nxisë pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në jetën e komunitetit, në hartimin e politikave dhe në proceset vendimmarrëse që ndikojnë në jetën e tyre”, tha Kaliqi.

Drejtoresha e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Getoarbë Mulliqi, në një deklaratë për Portalb.mk, theksoi se mënyra se si trajtohen gratë në mediat online dhe në hapësirën publike lidhet drejtpërdrejt me respektimin e të drejtave të njeriut.

“Trajtimi i grave në mediat online dhe në hapësirën publike është një çështje shumë e rëndësishme. Mosrespektimi i të drejtave të grave përbën shkelje të të drejtave të njeriut. Hapsira online është bërë e rrezikshme për gratë, si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë personal”, tha Mulliqi.

Aktiviteti u realizua me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup dhe Komunës së Çairit.

Foto nga konferenca “Digital Safe Girls Day 2026”. Foto: Portalb.mk
Kulturë lajme