Mucunski: Të gjithë ne nga Ballkani Perëndimor duhet të jemi së bashku në BE

Duke parë më pak nga e kaluara dhe më shumë nga e ardhmja, sepse kjo është ajo që mund të na bashkojë. Mesazhi i përgjithshëm që besoj se duhet të dërgojmë është se ne në Ballkanin Perëndimor duhet të punojmë së bashku. Kjo u tha nga Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në aktivitetin e mbrëmshëm në Bruksel me titull “Gëzuar fqinjëve të mirë: Ja sa të mirë janë Ballkani Perëndimor…”, i cili ishte nën patronazhin e Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, transmeton Portalb.mk.

Në fjalimin e tij, Mucunski theksoi se procesi i pranimit nuk është për një ose dy vende, por një qëllim që i gjithë rajoni duhet ta arrijë së bashku.

“Asnjë vend në rajon nuk duhet të izolohet nga anëtarësimi i plotë në BE. Varet nga ne të punojmë në bazë të standardeve, kritereve dhe të shikojmë nga e ardhmja”, tha Mucunski.

Ai tha se kjo nuk duhet të ndodhë në të njëjtën kohë sepse sistemi nuk funksionon në atë mënyrë, por shtoi se duhet të jemi atje së bashku.

Eventi iu kushtua festimit të pasurisë kulturore, diversitetit dhe të ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor, me një theks të veçantë në njërën nga traditat më simbolike në rajon – artin e prodhimit të verës.

Mucunski theksoi në fjalimin e tij se rrushi maqedonas është shpesh pjesë e verërave të vendeve të tjera në rajon.

“Jemi jashtëzakonisht krenarë që shumë vende në rajon e quajnë verën e tyre të vetën, ndërsa një pjesë e saj është maqedonase. Kur punojmë së bashku, mund të bëjmë produktin më të mirë. Produktin që të gjithë e duan dhe që është vërtet evropian”, shtoi ai.

Komisionerja Evropiane Marta Kos në fjalimin e saj tha se kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, flitet shumë për politikën, grupet, kapitujt, kriteret dhe negociatat, dhe në fakt harrohet se rajoni është shumë më tepër se kaq. Ajo theksoi se një nga detyrat që i ka vënë vetes për periudhën e ardhshme është të punojë për rritjen e njohjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor midis shteteve anëtare të BE-së.

Ajo shtoi se e di sa të apasionuara mund të jenë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe sa dashuri i kushtojnë procesit të pranimit, për t’i provuar BE-së se ata me të vërtetë duan të jenë pjesë e tij.

“Mendoj se ndonjëherë duhet t’u themi atyre: Nuk keni pse ta bëni këtë. Ju jeni evropianë. Ju jeni pjesë e jona. Ajo që po bëjmë tani është një formalitet dhe kjo më jep energji për të punuar me ju”, tha Kos.

Komisionerja Evropiane njoftoi se pasi të mbyllet pjesa teknike e negociatave të anëtarësimit për secilin prej vendeve kandidate, ajo do të ngjitet në majën më të lartë të malit në atë vend. Për Maqedoninë, ajo do të jetë maja e Korabit.

“Jo të gjithë mund të ngjiten në majë, por nëse nuk përpiqeni, nuk do të keni kurrë sukses. Ky është imazhi që dua të paraqes për vendet kandidate. Po, ata duan të bëhen anëtarë dhe po punojnë hap pas hapi, por kjo nuk mund të ndodhë brenda natës. Ky është mesazhi im sonte. Ju lutem vazhdoni”, u tha Kos vendeve të rajonit.

RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet. 

Bashkimi Evropian (BE)Eurointegrime Negociata RMV-BEMarta KosMinistria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme (MPJTJ)Timço Mucunski