“Vendi ynë nuk është gati për ndryshime kushtetuese”, tha sot Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski. Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe me Bullgarinë, ai tha se ka mungesë besimi për ne si vend, transmeton Portalb.mk.
“Pra, në këtë moment nuk ka kushte për ndryshime kushtetuese dhe Qeveria nuk është gati të ndërmarrë asnjë hap drejt ndryshimeve kushtetuese”, tha Mucunski në përgjigje të pyetjeve gazetareske në një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, i cili është në vizitën e tij të parë zyrtare në vend.
“A po bëjmë gjëra specifike që lidhen me perspektivën tonë evropiane, nuk dua të jem përsëritës sepse kjo është një temë që ka qenë shumë aktuale në periudhën e fundit. Po, po bëjmë. E para është ajo që po bëjmë në aspektin e agjendës së reformave. E dyta është ajo që po bëjmë në aspektin e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, por shumë më tepër është ajo që po bëjmë për zbatimin e vlerave evropiane“, shtoi Mucunski.
Lidhur me faktin se sot pritet t’i dorëzohet mandati për formimin e një qeverie në Bullgari Rumen Radevit, ministri theksoi se qëllimi i tij nuk është as të shqyrtojë rezultatet e zgjedhjeve dhe as të shqyrtojë deklaratat që vijnë nga Sofja, sepse, siç tha ai, do të hynte në narrativën e dikujt tjetër.
Ai shtoi se “gjatë ekzistencës së një qeverie të mëparshme politike” ka pasur mungesë gatishmërie për dialog nga ana e Bullgarisë.
“Shpresoj që në Sofje të ketë vetëdije se perspektiva evropiane për vendin tonë është e rëndësishme për të gjithë rajonin. Edhe nëse nuk ka një vetëdije të tillë dhe një vetëdije e tillë nuk zhvillohet, kjo nuk do të thotë se po shqyrtojmë ndonjë alternativë, por do të vazhdojmë në rrugën e reformave, do të vazhdojmë në rrugën e përafrimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë dhe do të vazhdojmë të ndajmë këto vlera evropiane në të cilat besojnë shumica dërrmuese e qytetarëve tanë”, theksoi Mucunski.
Nga ana tjetër, në konferencën e përbashkët për shtyp të sotme, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Berset, deklaroi se “Maqedonia e Veriut luan një rol shumë të rëndësishëm për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë demokratike në të gjithë Evropën dhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor”.
“Në këtë mjedis gjeopolitik, roli i Këshillit të Evropës në ruajtjen e kursit demokratik, stabilitetin e Evropës në tërësi, zhvillimin e një hapësire të përbashkët ligjore për shtetet anëtare në mënyrë që ato të mund të zgjidhin problemet së bashku në një hapësirë të përbashkët dhe sigurinë evropiane është shumë i rëndësishëm”, tha ai.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.