Komente dhe qëndrime të ashpra ndaj Rusisë nga BE-ja dhe SHBA-ja në lidhje me sulmin e fundit me dronë kundër Polonisë. Më pak se një javë pas premtimeve të shumta amerikane ndaj Polonisë gjatë vizitës së presidentit polak Karol Nawrock në Uashington, Rusia sulmoi Poloninë me dronë.
Hapësira ajrore polake në jug-lindje të vendit u mbulua me qindra dronë ushtarakë rusë. Para sulmit rus, presidenti amerikan Donald Tramp gjatë një takimi me presidentin polak më 3 shtator tha se SHBA-të mund të rrisin praninë e trupave në Poloni. Më vonë, pas sulmit, Sekretari i NATO-s Mark Rutte në një deklaratë tha se Këshilli i Atlantikut të Veriut diskutoi kërkesën e Polonisë për konsultime sipas Nenit 4 të Traktatit të Uashingtonit. Sipas tij, aleatët shprehën solidaritet me Poloninë dhe denoncuan sjelljen e pamatur të Rusisë.”Një vlerësim i plotë i incidentit është duke u zhvilluar. Ajo që është e qartë është se shkelja e hapësirës ajrore nuk është një incident i izoluar”.
Avionë ushtarakë të Polonisë dhe të NATO-s parandaluan një pjesë të madhe të dronve rusë por jo të gjitha. Zyrtarë të lartë ushtarakë të NATO-s thanë se do të vazhdojnë të menaxhojnë në mënyrë aktive parandalimin dhe mbrojtjen përgjatë gjithë krahut lindor. Sipas tyre aleatët janë të vendosur të mbrojnë çdo centimetër të territorit, duke monitoruar nga afër situatën përgjatë krahut lindor. Përderisa zyrtarët e BE-së kanë lëshuar deklarata, Rusia i ka injoruar reagimet perëndimore, dhe ka refuzuar të pranojë çdo përgjegjësi. Zyra e kryeministrit britanik Keir Starmer njoftoi se “ishte e qartë se Rusia po vazhdonte të rriste agresionin e saj, duke i shtuar sistematikisht sulmet e saj përmes një fushate veprimesh gjithnjë e më luftarake”.
Ndërsa qeveria gjermane në një kumtesë për shtyp tha se do të zgjerojë kontrollin ajror mbi Poloninë. Komandanti suprem i NATO-s në Evropë, gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, tha se aleanca nuk ishte e sigurt për numrin e dronëve që hynë në territorin polak, as nëse ato u lëshuan qëllimisht. “Por ne do të nxjerrim mësime”. “Do të mësojmë për gjërat që na duhen për të përmirësuar qëndrimin tonë, për t’u përballur me këto inkursione të kufizuara”, tha Grynkewich. Kryeministri polak Donald Tusk njoftoi se incidenti i ndërhyrjes me dronë rus ishte “më afër konfliktit të hapur që kemi qenë që nga Lufta e Dytë Botërore”. Ai tha gjithashtu se “nuk kishte arsye të besonte se jemi në prag të luftës”.
Kryeministri polak shtoi se 19 dronë rusë fluturuan mbi Poloni, nga të cilët deri në katër u rrëzuan. “Mbetjet e 16 prej tyre deri më tani janë gjetur të shpërndara në fshatrat polake, duke u përplasur në shtëpi dhe duke dëmtuar makina”, tha Tusk. Nga gjendja e ndërlikuar e sigurisë në krahun lindor të NATO-s ashtu siç nënvizoi edhe sekretari Mark Rutte, Polonia u përgjigj duke thirrur Nenin 4 të Traktatit të Uashingtonit. Sipas Traktatit, Neni 4 mund të thirret nga çdo shtet anëtar i NATO-s që ndihet i rrezikuar. Sipas kritereve, këtë mund ta kërkojë gjatë takimit me Këshillin e Atllantikut të Veriut (NAC). Neni 4 i Traktatit të Uashingtonit i hap rrugën zyrtarëve të lartë të NATO-s për tu konsultuar mbi hapat e ardhshëm që duhet të ndërmarrë aleanca. Ndërsa thirrja e Nenit 4 është një çështje e madhe, ajo përsëri nuk e ka të njëjtën rëndësi si Neni 5. Atëherë përderisa e sqaruam Nenin 4, le t’i hedhim një vështrim Nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit, dhe pse është më i rëndësishëm se Neni 4. Neni 5 thotë se “nëse një anëtar sulmohet, atëherë të gjithë anëtarët e tjerë do ta trajtojnë atë si një sulm ndaj tyre”. Në fakt, Neni 5 kërkon një përgjigje kolektive prej anëtarëve të NATO-s.
Por, një fakt nuk duhet lënë anësh. Neni 5 nuk do të thotë se NATO apo anëtarët e aleancës duhet të shpallin luftë të mënjëhershme; çdo shtet anëtar i NATO-s duhet të analizojë situatën dhe të ndërmarrë veprime në përputhje me kushtetutën. Në rastin e Polonisë, SHBA-të nuk kanë ndërmarrë shumë hapa shtesë në lidhje me Rusinë dhe rastin me sulmet e fundit me dronë ndaj hapësirës ajrore polake. Në SHBA, presidenti do të duhet të marr në konsideratë pikëpamjet e Kongresit.
Megjithatë, pavarësisht reagimeve dhe deklaratave të ashpra nga Perëndimi, në këtë kohë në anën lindore të BE-së, SHBA-të po përpiqen të dërgojnë më shumë aeroplanë dhe teknologji për të monitoruar aktivitetet ruse, por jo për të filluar një luftë tjetër me Rusinë. SHBA i ka lënë anëtarët e NATO-s të bëjnë më shumë në lidhje me mbrojtjen, dhe me sulmet e fundit me dronë ndaj Polonisë. Nga ana tjetër, Polonia po bëhet më e sigurt ushtarakisht, gjë që qeveria në Varshavë e ka premtuar me planet e reja të modernizimit. Kritikë të tjerë thonë se nëse NATO nuk tregon më shumë unitet dhe gatishmëri ndaj Rusisë, atëherë Rusia do ta marrë këtë si një shenjë të dobësisë së NATO-s dhe më shumë. Për më shumë, Polonia ka mbyllur kufijtë e saj me Bjellorusinë për shkak të stërvitjeve ushtarake ruse Zapad 2025. Me fjalë të tjera, Rusia ka vënë në shërbim aktiv raketat Iskander në Kaliningrad.
Ndërsa NATO po ashtu ka nisur nismën ushtarake “Roja Lindore”. Në 400 vitet e fundit, Polonia dhe Rusia kanë pasur marrëdhënie të tensionuara dhe kanë qenë në luftë. Pushtimi i fundit i Polonisë në vitin 1939, dhe spastrimi etnik nga forcat ruse, kanë lënë kujtime të këqija për polakët që të mos u besojnë rusëve. Polonia është një qendër kryesore logjistike, ajrore dhe rrugore për Ukrainën, dhe ka potencialin të jetë një fuqi e rëndësishme në dekadën e ardhshme. Rusia nga ish- shtetet e bllokut të Varshavës e deri në Ballkan përveç aktiviteteve ushatarke dhe operacioneve klandestine, për më shumë se një dekadë ka shtuar propagandën, dhe ndikimin në hapësirën politike, mediale, fetare e kulturore. Tani e tutje, opsioni më i mirë për anëtarët e NATO-s dhe jo-anëtarët është të përgatiten dhe të qëndrojnë të bashkuar përballë pasigurisë. Sulmi i fundit rus mund të shihet si një moment ku Moska po teston anëtarët e NATO-s.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.