Ministria e Shëndetësisë dhe Qyteti i Shkupit nënshkruan marrëveshje për qira për ndërtimin e garazheve shumëkatëshe në Qendrën Klinike

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, në press-konferencën e mbajtur sot informuan se është nënshkruar një marrëveshje qiraje me Qytetin e Shkupit, e cila mundëson ndërtimin e garazheve shumëkatëshe brenda kompleksit të klinikave, transmeton Portalb.mk.

“Me këtë marrëveshje krijohen kushtet për zgjidhjen sistematike të problemit shumëvjeçar të parkimit në kompleksin e Qendrës Klinike, si një nga prioritetet kryesore për përmirësimin e qasjes së pacientëve dhe kushteve të punës për punonjësit shëndetësorë. Marrëveshja është lidhur për një periudhë prej 15 vitesh dhe parasheh një qira në vlerë prej 10 për qind të qarkullimit të përgjithshëm të realizuar. Me zbatimin e saj pritet modernizimi i sistemit të parkimit dhe rritja e kapaciteteve të parkimit për rreth 50 për qind”, theksoi ministri Aliu.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se në fazën fillestare të zgjidhjes së problemit të hapësirës për parkim do të ndërtohen dy garazhe shumëkatëshe, me ç’rast do të sigurohen të paktën 500 vende të reja parkimi.

“Ky është një projekt kapital jo vetëm për qytetin e Shkupit, por edhe për gjithë Maqedoninë, pasi këtu vijnë pacientë nga i gjithë shteti”, theksoi kryetari Gjorgjievski.

Sipas marrëveshjes, Qyteti i Shkupit ka detyrim që brenda 60 ditëve të dorëzojë një plan veprimi me afate konkrete për realizimin e aktiviteteve që lidhen me organizimin, menaxhimin, rregullimin dhe mirëmbajtjen e parkimeve në kompleks.

Në kuadër të projektit parashihet edhe digjitalizimi dhe monitorimi i plotë i sistemit të parkimit. Siç thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë, do të vendosen tabela informative dhe një sistem digjital për orientimin e qytetarëve, si dhe i ashtuquajturi “sistem parkimi inteligjent”, me sensorë për detektimin e vendeve të lira të parkimit, kamera me regjistrim automatik të automjeteve dhe një aplikacion mobil për informim, rezervime dhe pagesa në kohë reale.

Në parkingun e Qendrës Klinike “Nënë Tereza” mbretëron kaosi i përditshëm. Hapësira është shumë e vogël për të akomoduar makinat e mijëra pacientëve dhe punonjësve që qarkullojnë në këtë zonë çdo ditë, ndërsa autoritet vazhdimisht kanë premtuar zgjidhje që deri më tani nuk janë realizuar.

Më 7 mars të këtij viti, kur Arben Taravari ishte ministër i Shëndetësisë, kompania “Gjoka Construction” nga Shqipëria ishte e vetmja që aplikoi në thirrjen e shpallur për menaxhimin e parkingut në Qendrën Klinike. Taravari tha se nuk e dinte se çfarë portofoli kishte kjo kompani. Kjo kompani duhej të ndërtonte garazhe shumëkatëshe brenda “gjashtë muajsh deri në një vit”, por kjo nuk ndodhi sepse qeveria nuk e miratoi planin që kjo kompani ta ndërtonte atë.

Azir AliuMinistria e Shëndetësisë (MSH)NP "Parkingu" i Qytetit - ShkupOrce GjorgjievskiQendra Klinike Shkup