Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, sot paralajmëroi fillimin e procesit për ndërtimin e dy garazheve të montuara shumëkatëshe brenda Qendrës Klinike në Shkup, transmeton Portalb.mk.
Në një takim koordinues, të mbajtur së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Azir Aliu, dhe ekipet profesionale nga NP “Parkingu i Qytetit” dhe Qyteti i Shkupit, u përcaktua dinamika dhe modeli i realizimit të këtij projekti.
“Me realizimin e këtij projekti, të cilin do ta zbatojë Qyteti i Shkupit, do të sigurohen rreth 500 vende të reja parkimi, duke i dhënë fund përfundimisht kaosit shumëvjeçar të parkimit brenda dhe përreth Qendrës Klinike”, tha Gjeorgjievski.
Në dhjetor në vitit të kaluar, ministri i Shëndetësisë Azir Aliu tha se në qendrën klinike diku deri në maj do të kemi parking krejtësisht të ri me infrastrukturë “smart” dhe garazh në kate.
Në parkingun e Qendrës Klinike “Nënë Tereza” mbretëron kaosi i përditshëm. Hapësira është shumë e vogël për të akomoduar makinat e mijëra pacientëve dhe punonjësve që qarkullojnë në këtë zonë çdo ditë. Nervozizmi fillon që para hyrjes në klinika – në rrugë ka radhë automjetesh që presin për të hyrë në njërën nga klinikat, ndërsa brenda, pasi të keni marrë biletë, është e vështirë të gjeni një vend parkimi. Pasi pacientët marrin shërbim mjekësor, ata detyrohen të presin përsëri në radhë dhe të paguajnë në kabinën “Parkingu i Qytetit” ose në makinë, dhe pastaj të presin përsëri dhe mezi të dalin nga zona Klinike me automjetet e tyre.
Parkimi në këtë pjesë të Shkupit është një problem kronik që asnjë ministër i shëndetësisë nuk ka gjetur kurrë një mënyrë për ta zgjidhur, megjithëse shumë prej tyre, kur u emëruan në detyrë, gjëja e parë që premtuan ishte pikërisht kjo – zgjidhja e problemit të parkimit.
Në 10 vitet e fundit, kanë ndryshuar 9 ministra të shëndetësisë. Imer Selmani, Bujar Osmani, Nikolla Todorov, Arben Taravari (2 mandate), Venko Filipçe, Bekim Sali, Fatmir Mexhiti, Ilir Demiri dhe Azir Aliu (aktual). Shumë prej tyre premtuan zgjidhjen e kaosit.
Ish-ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti, kur mori detyrën, tha në një takim informues me gazetarët se së pari do të merrej me kaosin me parkingun në Qendrën Klinike, por kjo nuk ndodhi.
Më 7 mars të vitit të kaluar, kur Arben Taravari ishte ministër i Shëndetësisë, kompania “Gjoka Construction” nga Shqipëria ishte e vetmja që aplikoi në thirrjen e shpallur për menaxhimin e parkingut në Qendrën Klinike. Taravari tha se nuk e dinte se çfarë portofoli kishte kjo kompani. Kjo kompani duhej të ndërtonte garazhe shumëkatëshe brenda “gjashtë muajsh deri në një vit”, por kjo nuk ndodhi sepse qeveria nuk e miratoi planin që kjo kompani ta ndërtonte atë.